17 C
Skopje
E enjte, 15 Maj, 2025

Shkenca jep përgjigjen: A duhet të merrni suplemente hekuri?

Nëse keni anemi nga mungesa e hekurit, duhet të merrni suplemente hekuri, por Dr. Trisha Parrish i këshillon pacientët e saj të mos marrin hekur çdo ditë, shkruan The Washington Post .

Hulumtimet kanë treguar se marrja e një suplementi hekuri çdo ditë tjetër mund të optimizojë përthithjen e hekurit – dhe mund të lehtësojë efektet anësore si të përzierat dhe kapsllëku.

Hekuri është një mikronutrient thelbësor që ndihmon në prodhimin e qelizave të kuqe të gjakut të shëndetshme. Njerëzit me mungesë hekuri shpesh ndihen të lodhur. Disa kanë vështirësi në frymëmarrje ose kanë lëkurë të zbehtë. Mungesa e hekurit mund të çojë gjithashtu në një rrahje të shpejtë të zemrës, dhimbje koke dhe dëshirë për ushqime të pazakonta.

Është normale që një sasi e vogël e rezervave të hekurit në trup të humbasë përmes lëkurës ose gjatë menstruacioneve. Por anemia nga mungesa e hekurit (e cila është një nga disa forma të anemisë) mund të zhvillohet nëse humbet më shumë sesa absorbohet përmes dietës. Anemia nga mungesa e hekurit është një gjendje në të cilën qelizat e kuqe të gjakut nuk mund të transportojnë në mënyrë efektive oksigjenin në pjesën tjetër të trupit. Karakterizohet gjithashtu nga nivele të ulëta të hekurit dhe qelizave të kuqe të gjakut dhe diagnostikohet me një test gjaku që përfshin një numërim të plotë të gjakut.

Fëmijët e vegjël, personat me sëmundje të rënda ose gratë shtatzëna, si dhe të moshuarit, duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm. Një studim i botuar vitin e kaluar në Annals of Internal Medicine zbuloi se një në katër të rritur të shëndetshëm të moshës 70 vjeç e lart zhvilluan anemi brenda pesë viteve nga fillimi i studimit, dhe se marrja e një doze të ulët aspirine çdo ditë e rriti këtë rrezik me 20 përqind.

Çfarë e shkakton hekurin e ulët?

Shtatzënia: Gjatë shtatzënisë, hekuri duhet të shumëfishohet për të mbështetur nënën dhe fetusin në rritje (sikur gratë shtatzëna kishin nevojë për një arsye tjetër për t’u ndjerë të lodhur), kështu që është një kontroll rutinë gjatë shtatzënisë. Marrja e suplementeve të hekurit është e sigurt gjatë shtatzënisë dhe gjatë ushqyerjes me gji.

Humbja e gjakut: Gjakderdhja e rëndë gjatë menstruacioneve ose nga trakti gastrointestinal (e cila mund të mos jetë gjithmonë e dukshme në jashtëqitje) pakëson rezervat e hekurit. Anemia e pashpjegueshme nga mungesa e hekurit është një arsye e zakonshme për kolonoskopi (dhe shpesh endoskopi të sipërme) sepse mund të jetë një tregues i kancerit.

Probleme me thithjen e hekurit: Disa gjendje mjekësore e bëjnë të vështirë për zorrët tona të thithin hekurin – për shembull, pas kirurgjisë bariatrike, sëmundjes celiake, sëmundjes inflamatore të zorrëve ose gastritit (i cili bëhet më i zakonshëm me plakjen). Në varësi të gjendjes, disa mund të kenë nevojë për një injeksion intravenoz të hekurit në vend të një suplementi oral.

Dietë e varfër në hekur: Disa bimë si spinaqi ose bishtajoret janë të pasura me hekur. Megjithatë, trupat tanë e thithin hekurin që gjendet në mish dhe peshk shumë më me efikasitet. Njerëzit që ndjekin një dietë vegane mund të jenë në rrezik më të lartë për mungesë hekuri, por kjo zakonisht zbutet në disa vende ku ushqime të tilla si drithërat dhe mielli janë përgjithësisht të fortifikuara me hekur.

Mënyra e duhur për të marrë suplemente hekuri

Dr. Tricia Parrish rekomandon disa mënyra për t’i bërë suplementet e hekurit më efektive:

Merreni me stomak bosh: Marrja e suplementit një orë para vaktit ose dy orë pas tij do të ndihmojë në maksimizimin e përthithjes.

Gëlltisni me një gotë lëng portokalli – dhe shmangni qumështin dhe kafenë: vitamina C nxit thithjen e hekurit duke krijuar një mjedis acid që ndihmon tretjen e hekurit.

Një studim i kontrolluar i rastësishëm i vitit 2020 zbuloi se marrja e suplementeve me vitaminë C në formë pilule nuk përmirëson thithjen e hekurit, por konsumimi i një sasie të shëndetshme të vitaminës C në dietë, siç është lëngu i portokallit, mund të rrisë thithjen e hekurit me katër herë.

Nga ana tjetër, ushqimet dhe pijet që përmbajnë kalcium, përfshirë qumështin dhe kosin, si dhe pijet që përmbajnë polifenole, siç janë çaji dhe kafeja, mund të zvogëlojnë përthithjen e hekurit. Është në rregull t’i konsumoni në kohë të tjera të ditës – por shmangini ato në të njëjtën kohë kur merrni një suplement hekuri.

Ndihmoni veten me laksativë të lehtë: Kapsllëku është një nga arsyet më të zakonshme pse njerëzit ndalojnë së marri hekur. Prandaj, rekomandohet që pacientët të marrin laksativë të lehtë si masë parandaluese ndërsa marrin suplemente hekuri.

Konsideroni marrjen e antacideve: Antacidet, ilaçe që neutralizojnë acidin klorhidrik në lëngun gastrik, mund të ndërhyjnë në thithjen e hekurit duke ulur aciditetin. Shumë njerëz kanë zakon t’i përdorin këto ilaçe për më gjatë se sa është realisht e nevojshme, kështu që në konsultim me një mjek, duhet të shihni nëse mund ta zvogëloni dozën ose ta eliminoni plotësisht këtë lloj ilaçi.

Shmangni kapsulat me veshje enterike: Kapsula me një shtresë të veçantë të projektuar për të shmangur degradimin e ilaçit në traktin e hershëm tretës – ato tingëllojnë mirë në teori, por meqenëse hekuri absorbohet në pjesët e para të zorrës së hollë, tabletat mund të kontribuojnë në anashkalimin e asaj zone kyçe, kështu që nuk do të thithni aq sa duhet.

Çfarë është e rëndësishme të dihet?

Anemia nga mungesa e hekurit mund të shfaqet gradualisht dhe në mënyrë të padukshme – shpesh gjatë një periudhe muajsh – kështu që mund të jetë e vështirë të përcaktohet saktësisht se kur keni filluar të ndiheni ndryshe. Disa gra që normalisht kanë menstruacione të rënduara shpesh e përjetojnë ndjesinë e lodhjes si një dukuri normale, duke menduar se thjesht nuk janë në formë.

Anemia nga mungesa e hekurit mund të zgjidhet (zakonisht mjaft lehtë), por duhet të hetojmë shkakun e saj dhe ta trajtojmë nëse mundemi. Përndryshe, njerëzit me mungesë hekuri afatgjatë janë në rrezik për probleme me zemrën dhe infeksione të shpeshta.

Të ngjajshme

Të fundit