Billboardi i vendosur sot në Shkup ka nxitur reagime të shumta për mënyrën se si paraqet kryeqytetin dhe identitetin e tij. Kjo ngre një pyetje thelbësore: A duam një Maqedoni evropiane, apo një Evropë pa Maqedoninë e Veriut?
Shkruan POPULLI.mk
Në një shtet që ndërtohet mbi parimet e bashkëjetesës dhe multikulturalizmit, nuk mund të paraqitet një imazh që lë jashtë një pjesë të rëndësishme të historisë dhe identitetit të tij. Billboardi i sotëm në Shkup, sipas kritikëve, fshin pothuajse çdo element që lidhet me trashëgiminë shqiptare në vend.
Për këtë rast duhet të ketë përgjegjësi politike dhe institucionale nga Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski. Qyteti i Shkupit u përfaqësua vetëm përmes simboleve të identitetit maqedonas, ndërsa u lanë jashtë elemente që pasqyrojnë karakterin shumetnik të kryeqytetit.
Në billboard u paraqitën objekte dhe simbole si kishat, Kryqi i Vodnos, Mali Vodno dhe monumenti i Aleksandrit të Madh, ndërsa munguan plotësisht Çarshia e Vjetër, xhamitë dhe monumente të tjera që janë pjesë e pandashme e historisë, kulturës dhe identitetit të Shkupit.
Multikulturalizmi nuk mund të fshihet, ashtu siç nuk mund të fshihet respekti për të gjitha komunitetet që kanë ndërtuar këtë qytet. Një kryeqytet evropian duhet të pasqyrojë diversitetin e tij dhe jo të promovojë një narrativë që përjashton të tjerët.
Historia shqiptare e këtij vendi, e sidomos e Shkupit, nuk mund të fshihet nga një billboard. Ajo është pjesë e realitetit historik, kulturor dhe shoqëror të Maqedonisë së Veriut dhe duhet të trajtohet me dinjitet dhe respekt në çdo përfaqësim zyrtar të shtetit dhe të kryeqytetit.




