Në Shkup, pas javësh të tëra kaosi, papastërtie dhe keqmenaxhimi, më në fund ka nisur ndryshimi i shumëpritur, shkruan POPULLI.mk
Punëtorët e NP “Higjiena Komunale” kanë qenë të gatshëm dhe të organizuar për të pastruar rrugët dhe lagjet e Shkupit, duke treguar përkushtim e përgjegjësi, por për një kohë të gjatë nuk kishin kushte për punë. Kjo për shkak të keqpërdorimeve dhe bllokadave të brendshme që, sipas hetimeve, janë bërë nën drejtimin e ish-kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, dhe ish-drejtorit tashmë në paraburgim.
Për pasojë, Shkupi u la në mbeturina, me kontejnerë të mbushur, rrugë të ndotura dhe erë të padurueshme që përfshiu shumë lagje të qytetit. Pamjet e ditëve të fundit kanë qenë tronditëse, një pasqyrë e vërtetë e neglizhencës institucionale dhe mungesës së përgjegjësisë.
Por sonte, situata mori një kthesë. Me ardhjen e kryetarit të ri, Orce Gjorgjievski, me praninë e kryeministrit Hristijan Mickoski, kryetarit të Çairit, Izet Mexhiti dhe shumë të tjerëve, ka filluar një aksion i gjerë pastrimi që simbolizon jo vetëm higjienën fizike, por edhe atë morale të qytetit. Rrugët po pastrohen, automjetet e pastrimit janë rikthyer në terren, dhe qytetarët kanë nisur të ndiejnë erën e freskët të ndryshimit. Është paralajmëruar pastrim total i kryeqytetit për 72 orë të plota.
Shkupi po rilind. Filloi pastrimi, filloi ndryshimi, filloi lulëzimi i kryeqytetit.
© POPULLI.mk



