Pas disfatës së thellë në zgjedhjet lokale, në radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim po rritet ndjeshëm pakënaqësia dhe tensioni i brendshëm. Nga degë të ndryshme të partisë janë ngritur kërkesa të qarta për ndryshime rrënjësore, përfshirë shkarkime të figurave të larta, hapje ndaj gjeneratës së re politike dhe rishikim të aleancave aktuale, shkruan POPULLI.mk
Sipas burimeve brenda strukturave të BDI-së, në qendër të kritikave janë disa nga figurat më të njohura të partisë si Bujar Osmani, Musa Xhaferi, Sadulla Duraku, Fatmir Dehari, Arbër Ademi, Faton Ahmeti, Arbër Ademi dhe Bajram Rexhepi, të cilët akuzohen se kanë humbur kontaktin me bazën dhe nuk kanë arritur të lexojnë drejt sinjalet e elektoratit shqiptar.
Shumë anëtarë e aktivistë të zhgënjyer kërkojnë që partia të rikonstruktohet nga themeli, duke u hapur ndaj emrave të rinj që gëzojnë besim publik dhe që mund të rikthejnë energjinë e dikurshme politike të BDI-së.
“Koha e të njëjtëve njerëz ka mbaruar. BDI duhet të rifitojë besimin e qytetarëve përmes rinovimit.” thuhet ndër zërat kritikë në strukturat lokale.
Një pjesë e konsiderueshme e bazës partiake ka kërkuar gjithashtu shkëputje të menjëhershme nga bashkëpunimi me Arben Taravarin dhe Ziadin Selën, duke theksuar se ky koalicion ka dëmtuar identitetin dhe orientimin politik të BDI-së.
“BDI duhet të garojë e vetme, me figura të reja dhe me program të qartë për shqiptarët. Aleancat e përkohshme vetëm e kanë zbehur profilin e partisë,” është një nga kërkesat që po përmendet në shumë degë.
Burime nga brenda partisë thonë se revolta në rritje është më e theksuar në degët që pësuan humbje të rënda, ku aktivistët kërkojnë mbajtjen e përgjegjësisë politike dhe proces reformimi të plotë në çdo nivel, nga qendra deri në bazë.
Rikujtojmë se Kongresi i radhës do të mbahet më 20 dhjetor dhe aty do të merret vesh se a dëshiron me të vërtetë BDI të ecë përpara me figura të reja, apo do të mbetet e njëjta tash e 23 vjet me radhë.
© POPULLI.mk
