Monedha e përbashkët ka shfaqur tendencë rënëse përgjatë gjithë kësaj jave në tregun e brendshëm valutor. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 104.36 lekë, ose 0.22 lekë më pak se një ditë më parë. Ky është një tjetër rekord historik minimum, që nga koha kur euro filloi të përdorej si monedhë zyrtare në vitin 2002.
Rënia e euros në tregun e brendshëm është ndikuar dhe nga zhvlerësimi i saj në bursat ndërkombëtare, ku monedha e përbashkët u këmbye me 1.084 dollarë, nga gati 1.1 dollarë që ishte një javë më parë, teksa monedha e gjelbër u ndikua nga përmirësimi i treguesve të ekonomisë së SHBA-ve.
Tendenca e fortë rënëse nisi që në maj. Pas përfundimit të zgjedhjeve euro u rrit përkohësisht për disa ditë, për t’iu rikthyer sërish nënçmimit të fortë.
