1.8 C
Skopje
E hënë, 23 Shkurt, 2026

Shqipëria, destinacion i përballueshëm dhe magjepsës për turistët amerikanë

Shqipëria është nën radarin e shumë turistëve amerikanë. Falë ndërthurjes së plazheve, maleve, historisë magjepsëse dhe ushqimit të shijshëm, ky vend i përballueshëm dhe mikpritës ofron shumë më tepër sesa mendohet.

Kështu shkruhet në të përditshmen amerikane “South Texas News”. Gjatë vitit të shkuar, shumica e vizitorëve ishin nga vendet fqinje si Kosova dhe Italia, ndërsa 306 mijë turistë ishin nga SHBA-të.

Sipas artikullit, Shqipëria është ende një perlë e fshehur për amerikanët.

Në këtë vend të bukur mesdhetar, vizitën mund ta nisni me kryeqytetin. Tirana është qendra kulturore dhe financiare e vendit. Është zona më e madhe urbane me gati një milion banorë. Nisni vizitën tuaj në Sheshin Skënderbej, sheshin qendror të qytetit, ku ndodhet statuja e Skënderbeut, Xhamia historike e Et’hem Beut, si dhe Kulla historike e Sahatit, Opera dhe Muzeu Historik Kombëtar.

Dy qytete historike që nuk duhen humbur janë Gjirokastra dhe Berati, të cilat janë të dyja Vende të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, të njohura për shtëpitë e tyre tradicionale prej guri, rrugët dredha-dredha me kalldrëm dhe kështjellat e mëdha. Shqipëria është kryesisht malore; Alpet në veri janë një destinacion kryesor për ecje në natyrë, sidomos rrugëtimi nga Valbona në Theth. Për të apasionuarit e detit, nuk duhet të humbet Riviera Shqiptare, me Ksamilin, Parkun Arkeologjik të Butrintit, si dhe Sarandën.

Për një atmosferë më të qetë, vizitoni qytete si Himara dhe Dhërmiu. Mos humbisni vizitën në Vlorë, ku mund të bëni ture me varkë në gjire të vogla dhe plazhe të fshehura. Po ashtu edhe ishullin e Sazanit, i cili ndodhet në hyrje të gjirit. Dikur një bazë ushtarake, por tashmë Jared Kushner dhe Ivanka Trump pritet të ndërtojnë një vendpushim luksoz me vlerë 1,4 miliardë dollarë në këtë ishull.

Klan News

Të ngjajshme

Të fundit