Gjatë ditës së sotme përmes shtabit të krizës në Ministrinë e Jashtme janë arritur disa konkluzione dhe janë ndërmarrë disa veprime.
Pas sulmeve brutale të djeshme të Hamasit në territorin e Izraelit, situata e sigurisë në vend, veçanërisht në pjesët afër Rripit të Gazës dhe zonat kufitare me Libanin, është përkeqësuar rëndë dhe shumë qytetarë tanë janë regjistruar në telefonat e Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Tel Aviv dhe telefonat SOS në seli dhe kërkuan ndihmë për evakuimin e tyre. Ministri Osmani në komunikim të drejtpërdrejtë me homologun e tij izraelit Eli Cohen shprehu ngushëllime për viktimat të cilat humbën jetën nga sulmi i Hamasit, si dhe mbështetjen për Izraelin.
“Nga shtetasit e regjistruar, nëntë turistë që vijnë nga Velesi, të cilët në komunikim me kolegët tanë nga Shqipëria janë pranuar në fluturimin special të Qeverisë së Shqipërisë për evakuim nga Tel Avivi, së shpejti presim që të zbarkojnë në Tiranë, nga ku përfaqësues nga ambasada jonë do t’i transferojnë në shtëpi me transport të organizuar. Me këtë rast, shprehim mirënjohjen tonë për kolegët tanë nga Shqipëria, për reagimin dhe pranimin e shpejtë të qytetarëve tanë”, tha MPJ.
Më herët, shtatë qytetarë tanë, turistë që u gjetën në Betlehem, kaluan me sukses kufirin me Jordaninë, ku u pritën nga konsulli ynë i nderit; ata tani janë të sigurt dhe pritet të shkojnë në shtëpi në ditët në vijim. Mëngjesin e sotëm, një familje prej katër anëtarësh e gjetur në Tel Aviv mori një fluturim komercial për në Stamboll, nga ku do të vazhdojnë edhe udhëtimin për në shtëpi.
Ambasada në Tel Aviv mbetet në kontakt me të gjithë qytetarët tanë të tjerë që janë regjistruar dhe kanë kërkuar ndihmë për largimin e tyre nga Izraeli. Midis tyre janë 11 punëtorë ndërtimi që u gjetën në Ramallah (Bregu Perëndimor).
