Kujt po i pengon më së shumti hyrja e Aleancës për Shqiptarët në Qeveri dhe kush po e dëshiron më së tepërmi ASH-në brenda Qeverisë? Pyetje kjo e cila çdo ditë e më tepër nuk ka përgjigje edhe pse nga ASH-ja nuk është dhënë ndonjë përgjigje konkrete se a do të jenë brenda apo jashtë kësaj Qeverie, të cilën e kanë kritikuar për çdo vendim!
Ditën e shtunë (nesër), ASH-ja ka Kongresin e jashtëzakonshëm të partisë, ku me gjitha gjasat pasardhësi i Ziadin Selës do të jetë Arben Taravari. A do të lëviz qëndrimi i Taravarit kundrejt kësaj Qeverie apo do t’i përbijë të gjitha fjalët dhe akuzat që i ka drejtuar më herët.
Si parti opozitare më e madhe tek shqiptarët, ASH-ja ka mundësinë që ta luftojë këtë Qeveri që siç thonë nga po kjo parti “Nuk janë të aftë për ta udhëhequr vendin drejt projekteve të premtuara”. Mundësia tjetër të cilën e kemi dëgjuar më së tepërmi këto ditë është se ASH-ja do t’i mbështesë agjendat pro-europiane dhe ndryshimet kushtetuese si brenda ashtu edhe jashtë Qeverisë. Por a do të kemi opozitë të mirëfilltë me hyrjen e ASH-së në këtë Qeveri aktuale duke e ditur se vetëm Lëvizja Besa nuk ka forcë për ta rrëzuar këtë Qeveri!
