31.8 C
Skopje
E mërkurë, 3 Shtator, 2025

Siljanovska-Davkova: Nuk ka nevojë për deklaratë të re për vijat e kuqe të shtetit mbi eurointegrimet

Presidentja e vendit, Gordana Siljanovska-Davkova, beson se nuk ka nevojë për deklaratë të re mbi vijat e kuqe të vendit për integrimin evropian, të cilën partia opozitare maqedonase, LSDM, njoftoi se do ta paraqesë.

Siljanovska-Davkova sot nga Ohri u tha të gjitha partive politike të ulen në Kuvend dhe të bien dakord se si do të veprojnë jashtë vendit.

“Pas kaq shumë vijave të bardha, të flasësh tani për vija të kuqe është absurde. Ne kemi një deklaratë, dhe jo vetëm një, por disa deklarata që i kemi miratuar në Parlament dhe ato nuk u respektuan. Ne as nuk e respektuam rezultatin e referendumit, e lëre më vijat e kuqe. Nuk e kuptoj se çfarë do të thotë një vijë e kuqe në këtë drejtim, veçanërisht nuk e kuptoj argumentin se nëse fqinji ende përdor veton, atëherë do t’i pezullojmë negociatat”, tha Siljanovska-Davkova.

“Nëse do të silleshin kështu pas takimit që të gjithë e gëzuam në qeveri, mendoj se BE-ja do të ishte sjellë ndryshe. Nëse udhëheqësit e opozitës dhe udhëheqësit e të gjitha partive do të flisnin me një zë se ne mendojmë kështu e ashtu, se kjo është zgjidhja më e mirë, ata me siguri do të ishin sjellë ndryshe ndaj nesh. Por dëgjoni argumentin – ata propozuan ndryshime kushtetuese me efekt të vonuar, nuk i pranuan. Personi i parë i Bashkimit Evropian, Kosta, tha për ndryshimet me efekt të vonuar se ato ishin një veprim i jashtëzakonshëm. A mendon dikush se ne do të propozojmë ndryshime kushtetuese me efekt të vonuar nëse nuk ka bazë kushtetuese për këtë. Epo, ndryshimet e para kushtetuese ishin me efekt të vonuar, dhe ndryshimet e Prespës ishin gjithashtu me efekt të vonuar”, theksoi Siljanovska-Davkova.

Të ngjajshme

Të fundit