Janë zbardhur detaje të reja nga skandali që përfshin Portin e Durrësit dhe Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, ku një sasi e konsiderueshme fileto pule e ngrirë e ardhur nga Brazili, ka rezultuar me salmonelë, teksa një pjesë e saj është hedhur në treg dhe është konsumuar.
Burime për mediat bëjnë me dije se bëhet fjalë për rreth mbi 18 ton në total, ku 13.1 ton fileto pule është hedhur në treg dhe është konsumuar, ndërsa 5.2 ton është bllokuar nga AKU. Sasia ka hyrë në Shqipëri më 11 Mars.
Ndërkohë, AKU, pas publikimit të skandalit, përmes një komunikate të shkurtër për mediat, pranoi faktet, por ndërkohë nuk tregon se cila është kompania që e ka hedhur në treg fileton me salmonelë, duke mos bërë transparencë për konsumatorin.
Burime për mediat bëjnë me dije se kompania, e cila e ka hedhur në treg fileton e pulës me salonelë është “AMG FOOD“, ose e njohur me emrin tregtar si “diMal“. Kompani është në administrim dhe në pronësi 100% të shtetasit Mondi Goxha.
Kompania “diMal”bën reklamë edhe në televizionin “Top Channel”, në një prej emisioneve më të ndjekura “Big Brother Vip”, teksa siç konstatohet edhe në videon e mëposhtme, organizon edhe sfida, duke ofruar çmime për banorët.
Rasti është konstatuar pas proceduarave standarde, ku inspektorët e AKU-së në pikën doganore kanë marrë mostrat e mishit të importuar dhe i kanë dërguar për analizim. Deri në daljen e rezultatit të analizave mishi duhet të qëndronte i bllokuar, por ndërkohë ka ndodhur e kundërta.
Pa pritur rezultatin e analizave, subjekti importues, në këtë rast kompania “AMG FOOD“, ose e njohur me emrin tregtar si “diMal“, është lejuar ta hedhë të gjithë produktin në treg për shitje.
Përgjigjia e analizave ka dalë me 5 ditë vonesë dhe një pjesë e sasisë është shpërndarë në treg dhe është konsumuar, ku bëhet fjalë për 13.1 ton fileto pule.
Përgjegjësia për këtë skandal shkon direkt tek Ministria e Bujqësisë e drejtuar nga Anila Denaj dhe tek institucioni në varësi të saj, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, i drejtuar nga Manush Kullolli.
Të shqetësuar jo për shëndetin e qytetarëve, por për faktin se ky skandal mund të bëhej mediatik, AKU ka trokitur në derën e subjektit që ka importuar mishin, në mënyrë që të tërhiqet nga tregu. “Ora News” raportoi më herët se inspektorët e AKU i kanë kërkuar subjektit importues faturat e shpërndarjes, por përfaqësuesi i subjektit i ka “treguar muskujt” inspektorëve duke refuzuar t’i vendosë në dispozicion faturat.
Papërgjegjshmëria e institucionit që drejtohet nga Manush Kullolli vijon të rrezikojë jetën e qytetarëve, ndërsa “flirtimet” e biznesmenëve me inspektorët e AKU, bëjnë që këto të fundit të mbyllin sytë para shkeljeve flagrante
Reagimi i AKU-së:
Në kuadër të transparencës dhe informimit të publikut, si dhe në funksion të garantimit të sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së shëndetit të konsumatorëve, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka ndërmarrë një sërë masash të menjëhershme dhe të strukturuara për të adresuar një situatë të identifikuar para disa ditësh gjatë proceseve të kontrollit të produkteve ushqimore të importuara në Portin e Durrësit.
Referuar analizimit në ISUV në datën 21.03.2025, për prani të Salmonella Typhimurium në një mostër produkt pule (fileto e ngrirë), e importuar nga Brazili, AKU ka ndërhyrë në mënyrë të koordinuar me strukturat përgjegjëse për gjurmimin, verifikimin dhe bllokimin e produktit në fjalë, si dhe për marrjen e masave administrative dhe ligjore ndaj subjektit përgjegjës.
Është inspektuar subjekti importues për ndjekjen e gjurmueshmërisë, i cili është referuar në organet e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme proceduriale, për sa i takon elementëve të veprës penale për mosrespektim të kritereve të gjurmueshmërisë dhe dhënie të informacionit të pasaktë.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit siguron publikun se situata është në ndjekje të vazhdueshme dhe se çdo veprim është ndërmarrë në funksion të transparencës, sigurisë dhe mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve.
Për çdo zhvillim të mëtejshëm, AKU do të vijojë të informojë në mënyrë të saktë dhe të përgjegjshme.
Burimi/Shqip.com