5.8 C
Skopje
E diel, 8 Shkurt, 2026

Sot u mbyll projekti vjetor i AZGj-së, për trajnimin e përkthyeseve dhe lektorëve të ministrive dhe të administratës publike në RMV

Sot u mbyll projekti vjetor i AZGj-së, për trajnimin e përkthyeseve dhe lektorëve të ministrive dhe të administratës publike në RMV.

Java e shtatë dhe e fundit e trajnimit të përkthyeseve dhe lektorëve, të ministrive dhe të administratës publike të RMV-së, në Agjencinë e Zbatimit të Gjuhës, u mbyll sot me leksionet e profesorëve Manjola Zaçellari, Nebi Bilalli dhe Lirim Shabani.

Dr. Manjola Zaçellari, pedagoge pranë Universitetit “Aleksandër Moisiu” – Durrës, autore e një sërë artikujsh shkencorë nga fusha e leksikologjisë, ligjëroi në temën ”Fjalët dhe shprehjet e huaja në Gjuhën Shqipe”.
“Duke pasur parasysh specifikën e auditorit, unë u përqendrova konkretisht në qëndrimin që duhet të mbajmë kundrejt fjalëve të huja. Në aspektin praktik, analizuam disa tekste. Folëm gjithashtu edhe për ndikimin që ka anglishtja në gjuhën tonë dhe se vallë, a mund ta shohim shqipen si një gjuhë të hapur dhe dinamike” – u shpreh mes tjerash Dr. Manjola Zaçellari.

Prof. Nebi Bilalli, këshilltar shtetëror i përkthimit në AZGj, në leksionin e tij trajtoi temën “Terminologjia profesionale, veçoritë dhe karakteristikat”.
“Gjatë dy ditëve të leksioneve, përveç shpjegimit të temës, unë mora edhe shqetësimet që kanë punonjësit nëpër institucione dhe në administratën publike në vendin tonë, gjatë procesit të përkthimit. Nevojat e tyre i trajtuam së bashku, për të pasur një përkthim sa më profesional të dokumenteve, formularëve etj.”

Mr. Lirim Shabani, u shpreh se për ligjëratën e tij ka zgjedhur temën “Praktika e redaktimit”. “Me kandidatët bëmë konkretisht redaktimin e disa teksteve, të strukturës së fjalisë dhe të sintaksës, në mënyrë që të mos deformohet përmbajtja e materialit të përkthyer dhe të redaktuar”.

Ditën e fundit të trajnimit e përmbylli koordinatorja e projektit Prof. Shpresa Zeqiri Ibrahimi, e cila duke i përshëndetur trajnuesit dhe duke i falënderuar ata, tha:
“Gjatë këtyre 7 javëve janë mbajtur gjithsej 97 orë ligjërata, me tema konkrete që lidhen me përkthimin dhe lektorimin, ndaj mund të themi se trajnimi ka qenë i suksesshëm. Pjesëmarrja e kandidatëve ka qenë e lavdërueshme gjithashtu”.

Drejtori i AZGj-së, Ardian Musliu, gjatë bisedës që pati me profesorët dhe me koordinatoren e trajnimit, mes tjerash theksoi:
“Ne si AZGj e vlerësojmë faktin që me këtë projekt, si një nga detyrat tona si institucion që kujdeset për zbatimin e gjuhës, t’u kemi ardhur në ndihmë përkthyesve dhe lektorëve të institucioneve dhe administratës publike në RMV, lidhur me procesin e dygjuhësisë”.

Projekti i trajnimit, organizuar nga AZGj-ja, ishte i treti me radhë dhe do të vazhdojë edhe vitin tjetër me të njëjtin intensitet dhe përkushtim profesional.

Merita Çoçoli-Sali
Kabineti i drejtorit
Shkup, 6.6.2023
*****

Të ngjajshme

Të fundit