-2.2 C
Skopje
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Stambolli magjepsës

Unë si një i ri më pëlqen të udhëtoj shumë. Në jetë kam vizituar vende të ndryshme por Stambolli padyshim për mua mbetet një ndër vendet më të preferuara. Stambolli është dhe do të jetë qyteti më i madh dhe më tërheqës për t’u vizituar sepse në këtë vend magjik shumë gjëra ndryshojnë brenda pak sekondave. Stambolli njihet edhe si vend i të dashuruarve, ai mban brenda histori të ndryshme si ajo e Kullës së Vajzës (Kiz Kulesi) si dhe Kullën e Galatës, kemi Taksimin e shumë e shumë vende të tjera mbresëlënëse për t’u vizituar. Stambolli është një vend ku njeriu e gjen veten e tij si të jetë në parajsë. Stambolli i bukur është shtëpi e shumë kulteve fetare si xhamitë shekullore që të frymëzojnë sa herë që i viziton.

Buzë detit në Uskudar!

Të dalësh për të shëtitur në Uskudar ku dhe duket nga afër Kulla e Vajzës duke parë njerëz të ndryshëm është një eksperiencë më vete. Disa gra të moshuara kalimtarëve iu shesin lule, ka të rinjë që shesin simite, çifte që dhurojnë lule njëri tjetrit, njerëz që qëndrojnë në praninë e heshtjes përballë Kullës së Vajzës.
Para një viti kur isha në Turqi, si çdo herë për mua vendi i preferuar për ta pirë kafen e parë pasi të kem mbërritur në Stamboll është Uskudari. Pasi mbërrij aty duke ecur i vetëm pashë një grua të moshuar që po shiste lule. U ndala dhe e pyeta,‘’ Motër, a më tregoni çfarë po bëni ju në këtë moshë me lule në dorë në rrugët e Uskudarit?’’
Ndërsa ajo m’u përgjigj, ‘’Biri im, për mua kjo rrugë është shumë e rëndësishme sepse në këtë vend kam takuar personin e jetës sime e pasi me atë nuk mundëm të bashkohemi tashmë unë kam vendosur që për hir të tij të shes lule ose të dhuroj nga një lule për të gjithë të dashuruarit!’’

Rrugicat e Kullës së Galatës

Një tjetër vend tërheqës është edhe kulla më e bukur e quajtur Galata Kulesi. Të vizitosh këtë vend është po ashtu një ndjenjë më ndryshe sepse edhe ky vend është me histori nga më të ndryshme. Edhe në këtë vend sheh njerëz me histori të larmishme. Është një nga ndjenjat më të bukura kur nga kupola e kullës mund të përqafosh Stambollin e brishtë. Edhe kjo kullë së bashku me atë të Vajzës përfaqësojnë një histori e parealizuar dashurie.

Pastaj Taksimi magjik!

Kur kalon në Rrugët e Taksimit e ndjen vetën pjesë te koncerteve modeste të artistëve të panjohur që i këndojnë jetës dhe dashurisë. Në rrugët e Taksimit sheh njerëz të lumtur e njerëz të trishtë, i sheh ata që jan të lodhur e ata që jeta nuk i lodhi. Taksimi ditën është ndryshe ndërsa natën është mrekulli më vete. Taksimin e dua për shpirtin e tij luftarak që e kalon me njerëzit që e vizitojnë. Stambolli magjik me shpirt luftarak që përballon çdo sulm e që fal vetëm dashuri. Ashtu siç ka thënë edhe Napoleon Bonaparte: “Nëse toka do të ishte një shtet i vetëm, Stambolli do të ishte kryeqyteti i saj”. E të gjithë ata që e kanë vizituar këtë vend magjik do ta kuptojnë shumë më mirë arsyen e kësaj thënieje.

Të ngjajshme

Të fundit