Zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, së bashku me Kryetarin e Komunës së Çairit, Visar Ganiu, Ministrin e Vetëqeverisjes Lokale, Zlatko Perinski, Zëvendësministrin e tij, Erxhan Selimi, dhe Zëvendësministrin e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Gjoko Velkovski, zhvilloi një takim me qytetarët, përfaqësuesit e biznesit dhe shoqërinë civile në Çair, informon POPULLI.mk
Gjatë takimit u diskutua për përmirësimin e sigurisë në trafik, ngritjen e higjienës publike dhe sfida të tjera që prekin drejtpërdrejt qytetarët. Një nga çështjet kryesore ishte prezantimi i ndryshimeve në Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale, i cili synon të rrisë efikasitetin e komunave dhe cilësinë e shërbimeve publike.
Zëvendësministrja theksoi angazhimin e Ministrisë së Transportit për të lehtësuar procedurat burokratike për objektet me karakter publik, duke krijuar mundësi më të shpejta dhe efikase për realizimin e projekteve të rëndësishme. Ajo gjithashtu vlerësoi masat e reja të Qeverisë për komunat dhe nënvizoi rolin e Ministrisë së Transportit në zhvillimin e infrastrukturës rrugore, e cila do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e sigurisë në trafik dhe në krijimin e kushteve më të mira për qytetarët.
“Do të vazhdojmë të punojmë për një Çair më të zhvilluar dhe për një jetë më cilësore për të gjithë qytetarët”, u shpreh Zekolli Shaqiri. / © POPULLI.mk