Zbardhet agjenda e samtit Tramp-Putin nesër në Alaska. Takimi kokë më kokë mes presidentëve të SHBA-së dhe Rusisë, do të fillojë në orën 11.30 sipas orës lokale në Alaska. Juri Ushakov, këshilltari për politikën e jashtme i Kremlinit dhe ish-ambasadori rus në SHBA, informoi se dy presidentët do të kenë një “takim kokë më kokë” me përkthyes, por gjithashtu do të mbajnë edhe një “takim më të gjerë” me delegacionet dhe një mëngjes pune. Ushakov tha se Ukraina do të jetë “tema qendrore” e bisedës, por dyshja do të diskutojë gjithashtu tregtinë dhe bashkëpunimin ekonomik.
Delegacioni rus do të përfshijë ministrin e jashtëm Sergei Lavrov, ministrin e mbrojtjes Andrej Belousov, ministrin e financave Anton Siluanov, kreun e fondit sovran rus Kirill Dmitriev dhe vetë Ushakovin, tha ai. Ai shtoi se dy udhëheqësit pritet të mbajnë edhe një konferencë të përbashkët për media në fund të samitit.
Ndërkaq Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, e mirëpriti sot në Londër presidentin ukrainas, Vollodimir Zelenski. Takimi vjen në një kohë kur Evropa po përgatitet për rezultatet e takimit të presidentit amerikan, Donald Trump, me homologun e tij rus, Vlladimir Putin. Të mërkurën, Starmer tha se Britania është e gatshme ta “rrisë trysninë” ndaj Rusisë, nëse është e nevojshme. Starmer dhe udhëheqësit evropianë kanë thënë vazhdimisht se bisedimet për Ukrainën nuk duhet të ndodhin pa vetë Ukrainën, mes shqetësimeve se Kievi po lihet mënjanë në bisedimet për të ardhmen e vendit.
I pyetur nëse ishte vendimi i tij që të mos ftonte Zelenskin në takim, Trump tha: “Jo, përkundrazi”, dhe shtoi se një takim i dytë me presidentin ukrainas mund të mbahet më pas.
Presidenti amerikan ka lënë të kuptohet më parë se armëpushimi mund të përfshijë një “shkëmbim” territoresh.
Mendohet se një nga kërkesat e udhëheqësit rus është që Ukraina t’i dorëzojë pjesë të rajonit Donbas që ende kontrollon. Por, Zelenski e ka hedhur poshtë çdo propozim që do të cenonte integritetin territorial të Ukrainës, diçka që ndalohet nga kushtetuta e vendit. /Alsat.mk
