17.8 C
Skopje
E hënë, 21 Prill, 2025

Taravari: ASH nuk del nga VLEN, por garon me listat dhe kandidatët e vet

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, deklaroi se partia nuk do të largohet nga koalicioni VLEN, por në zgjedhjet lokale do të garojë me lista të veçanta për këshilltarë dhe me kandidatët e vet për kryetarë komunash, shkruan POPULLI.mk

“Ne nuk po dalim nga VLEN. Thjesht do të garojmë me listat tona të këshilltarëve dhe me kandidatët tanë. Kjo nuk do të thotë përçarje, përkundrazi – mbetet hapur mundësia për bashkëpunim me partitë e tjera në raundet e ardhshme apo në komuna të caktuara,” theksoi Taravari.

Ai gjithashtu njoftoi se nga fillimi i muajit maj, ASH do të fillojë fushatën në terren, ku do të prezantojë kandidatët dhe platformën e saj lokale.

Lidhur me pjesëmarrjen në Qeveri, Taravari tha qartë:
“Për Qeverinë nuk vendosim ne, vendos kryeministri. Ne jemi pjesë e Qeverisë si Aleanca për Shqiptarët dhe kemi vullnetin të qëndrojmë aty, për të çuar përpara interesat e qytetarëve që na besuan.”

A do të pranohet kjo nga liderët tjerë të VLEN, mbetet të shihet se çfarë reagimi do të ketë. A do ta përjashtojnë ASH nga koalicioni apo do të lejojnë të qëndrojë bashkë me ta. Edhe pse liderët tjerë në VLEN kishin deklaruar se Taravari ka biseduar për bashkëpunim me Ali Ahmetin dhe BDI dhe kjo nuk mund të tolerohet brenda VLEN. / © POPULLI.mk

Të ngjajshme

Të fundit