Arben Taravari është përshkruar shpesh si politikani më labil në skenën politike shqiptare të Maqedonisë së Veriut. Ai ka lëvizur mes qëndrimeve të ndryshme dhe kontradiktore, duke shkelur pothuajse çdo fjalë të dhënë, çdo parim të shpallur dhe secilën marrëveshje të arritur. Kjo e ka bërë atë figurë të diskutueshme dhe të paqëndrueshme në syrin e opinionit publik.
Rrugëtimi i tij politik është i mbushur me kthesa të papritura. Fillimisht u bashkua me Ziadin Selën, më pas u nda nga ai duke krijuar një grup të veçantë përkrahësish; pastaj u bë pjesë e koalicionit VLEN, por sërish u distancua prej tyre për interesa personale. Në deklaratat e tij të ashpra, ai e ka quajtur Ali Ahmetin të sëmurë e me probleme dhe ka theksuar se nuk do të bashkëpunonte kurrë me BDI-në pa reforma të thella.
Megjithatë, sot realiteti është krejt ndryshe. Taravari shfaqet në të njëjtin front politik, përkrah Ali Ahmetit dhe Ziadin Selës, duke kërkuar votën e qytetarëve. Ky rikthim i tij shihet si përpjekje e dëshpëruar për të mos humbur Gostivarin, bastionin e tij politik, dhe tregon qartë se për të, mbijetesa në pushtet ka mbizotëruar mbi çdo parim e çdo fjalë të dhënë. / © POPULLI.mk