Gjatë këtyre ditëve, vendi po përballet me temperatura ekstreme deri në 40 gradë Celsius, duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve, veçanërisht të moshuarve dhe fëmijëve, shkruan POPULLI.mk
Ekspertët japin disa këshilla të rëndësishme për t’u mbrojtur nga vala e të nxehtit:
Qëndroni brenda gjatë orëve më të nxehta (11:00-17:00), dilni vetëm nëse është e domosdoshme.
Pini shumë ujë, edhe nëse nuk ndiheni të etur. Shmangni pijet me kafeinë dhe alkool që dehidratojnë trupin.
Vishni rroba të holla dhe të lehta, mundësisht pambuku dhe ngjyra të hapura, si dhe mbuloni kokën kur jeni jashtë.
Mbani ambientin e freskët, mbyllni perdet dhe dritaret gjatë ditës dhe përdorni ventilator ose kondicioner nëse keni mundësi.
Konsumoni ushqime të lehta dhe të freskëta, kryesisht perime dhe fruta si shalqi, pjepër, kastravec.
Bëni dush të vakët ose vendosni kompresa të ftohta në qafë dhe kyçe për freskim të menjëhershëm.
Mos lini kurrë fëmijët, të moshuarit apo kafshët në makinë, edhe për pak minuta, pasi temperaturat rriten shumë shpejt dhe mund të jenë fatale.
Kujdesuni për kafshët shtëpiake, sigurojuni ujë të bollshëm dhe një vend të freskët.
Kufizoni aktivitetin fizik të rëndë gjatë ditës, stërvituni herët në mëngjes ose vonë në mbrëmje.
Vëzhgoni shenjat e goditjes nga nxehtësia, si marramendje, të përziera, puls i shpejtë, lëkurë e kuqe apo shumë e lagësht dhe kërkoni ndihmë mjekësore nëse shfaqen.
Autoritetet shëndetësore u bëjnë apel qytetarëve që t’i respektojnë këto këshilla, pasi temperaturat ekstreme mund të shkaktojnë probleme serioze shëndetësore dhe rrezik për jetën. / © POPULLI.mk
