10.8 C
Skopje
E premte, 29 Mars, 2024

Tre hanxhinjtë e Sali Berishës dhe të ndjekësve të tij

Nga Poli Hoxha

Pa shumë naze dhe bujë Sali Berisha ka hequr simbolet e Partisë Demokratike nga stendat që i vendosin prapa kurrizit, në takimet që po zhvillon për fushatën elektorale. Bluja e thellë e demokratëve është bërë “ngjyrë gurkali”, kurse në sfondin e saj feks shtrëngimi i duarve blu e kuq.

Nëse ndonjë nga ndjekësit e tij është piktor si Edi Rama, e di shumë mirë se po të bashkohen “duart” e Berishës dhe Metajt që shtrëngohen fortë, atëherë do të dilte ngjyra mavi e Rilindjes. Dhe Rama nuk e zgjodhi kot këtë kolor, menjëherë pasi gënjeu shqiptarët me tezën, “përtej të majtës dhe të djathtës”.

Ngjyra mavi e Rilindjes, ka lindur pikërisht në skaletën e bojërave të tij. Nuk e di se në cilën “studio” janë dizenjuar duart blu e kuq të Berishës dhe të Metajt, por sido që të jetë, qëllimi është po aq pragmatik sa ai i Ramës me simbolet e Rilindjes: PS, PD, LSI, janë mjete për të arritur qëllime personale dhe të klaneve të tyre ekonomike dhe kriminale.

Kjo nuk është thjeshtë metaforë. Në kampin Berisha- Metaj po shohim një ngazëllim dhe eufori, pas zhvillimeve të fundit në Partinë Demokratike pro perëndimore. Mos mbulimi i 61 bashkive me kandidatë për kryetarë, po shihet si “fitore”. Në fakt vetëm dy gishtat e mëdhenj të duarve kuq e blu që ngjajnë si koka korbash, Berisha dhe Metaj, e dinë më mirë nga kushdo, se ata vetëm kanë blerë pak kohë, edhe me ndihmën e disa “delfinëve” brenda grupit parlamentarë të PD.

I gjithë problemi është pikërisht Koha.

Sali Berisha që kur u shpall “nongrata”, u përjashtua nga grupi parlamentarë nga Lulzim Basha dhe më pas nga PD, që atëherë kur nisi Foltoren, “mori” Partinë Demokratike dhe tani që i është rikthyer nga e para po Foltores, ka pasur vetëm një qëllim; të fitojë kohë me shpresën e shuarjes së furisë anglo-amerikane dhe të drejtësisë nëpërmjet SPAK. Jo vetëm ndaj tij, por edhe konsorsiumit politiko-ekonomik-kriminal, që ka ngritur gjatë këtyre 32 viteve.

Kjo kohë që bleu me financa të mëdha dhe duke manipuluar shumë demokratë të ndershëm, tani i hyn në punë vetëm për tu strehuar në sqetullën e Ilir Metajt pas 14 majit.

Ky i fundit synon që nëpërmjet votave të Berishës të dalë forca e dytë gjatë zgjedhjeve të 14 majit dhe kështu të fitojë kohën e duhur, për tu shndërruar në faktorë i rëndësishëm në skenën e politikës shqiptare, por edhe për të siguruar mburojë nga Perëndimi dhe SPAK.

Të dy i kanë bërë hesapet me Edi Ramën, por që të tre kanë “harruar” në skemën e tyre, tre hanxhinj.

Hanxhiu i parë janë SHBA, Britania e Madhe dhe Perëndimi në përgjithësi. Sido që të dalin në zgjedhjet lokale kandidatët e Berishës, ata për këtë “hanxhi” mbeten klone dhe përfaqësues të “minuesit të demokracisë dhe të korruptuarit”, i cili përbën rrezik për sigurinë e vendeve të tyre.

Hanxhiu i dytë është SPAK. Në 3- vjeçarin e parë të Arben Krajës për hir të së vërtetës, Berisha, rrethi i tij familjarë dhe i bashkëpunëtorëve që kanë dosje aty, fituan apo blenë goxha kohë. Por tashmë edhe vetë e kanë të qartë që koha e blerjes së kohës në këtë institucion që mund ta quajmë pa kompleks “amerikan”, u ka mbaruar.

Hanxhiu i tretë është Partia Demokratike, baza dhe lidershipi i saj i vendosur pro amerikan dhe pro perëndimorë, Basha-Alibeaj.

Në rezolutën e kuvendin të fundit të Foltores, për Luzim Bashën dhe Enkelejd Alibeajn pati një pikë të veçantë që i shpallte armiq. Askush nga këta kandidatët e primavere nuk kundërshtoj, por përkundrazi votuan plot ngazëllim. Por Sali Berisha nuk e ka as me Bashën as me Alibejan dhe as me PD-në. Ata janë armiq vetëm pse dhe sa të qëndrojnë në krah të Perëndimit. Ka një vit e gjysmë që njësoj si Enveri, i ka shpallur anglo-amerikanët armiq, por edhe “veglat” e tyre.

Ndaj kur ka në mendje makthin e tij permanent, SHBA-Britaninë e Madhe, shqipton “alibasha”. Tani edhe Roland Bejko!

Sali Berisha ka bërë akuza monstruoze për ambasadorët e këtyre dy vende, por askush nga deputetët dhe kandidatët e primareve, nuk është distancuar edhe pse nga frika, deklarohen si “pro-amerikanë”.

Si mendoni, se jo vetëm këtyre por edhe “delfinëve” dhe “jagove” të Berishës dhe Metajt brenda PD si projekt perëndimorë i Shqipërisë së ardhshme, nuk ju është mbajtur emri shënim për rolin e tyre për të mbajtur gjallë dhe në lojë armikun e interesave strategjike që ata kanë në Shqipëri?!

As në Kinë dhe Rusi nuk merret guximi që të flitet me gjuhën e Berishës për përfaqësuesin direkt të presidentit të SHBA, në Pekin dhe Moskë. Imagjinoni sikur Foltorja të kishte armë bërthamore, siç ka Rusia dhe Kina!

Hanxhiu i tretë është pra; Partia Demokratike. Tashmë zyrtare dhe mjet i Perëndimit në vendin tonë pa asnjë ekuivok, nuk do shumë mend se është Pika e Arkimedit, ku SHBA ka vendosur levën për të përmbysur botën e errët që mban peng Shqipërinë. Atë të Berishës, Ramës dhe të Metajt.

Tani këta flasin për “përçarje”, shumica, pakica, fitojmë këtë apo atë bashki duke gënjyer opozitarët e ndershëm, kur në fakt vetëm po blejnë kohë me paratë dhe plaçkën e grabitur të tranzicionit.

Le të blejnë sa të duan, por koha punon vetëm për tre hanxhinjtë; SHBA, PD properëndimore dhe SPAK. Dhe po punon më shpejtë, se sa jua pret mendja!

Të ngjajshme

Të fundit