14.8 C
Skopje
E premte, 30 Maj, 2025

Tre muaj pa rroga, 140 punonjës të Spitalit të Tetovës nesër në protestë

Punonjësit e Spitalit Klinik të Tetovës kanë hyrë në muajin e katërt pa marrë paga, edhe pse qëndrojnë çdo ditë në vijën e parë të përkujdesjes ndaj pacientëve të sëmurë. Ata nuk i kanë thënë kurrë “jo” punës, as në kohët më të vështira si gjatë pandemisë së COVID-19. Sot, janë lënë në mëshirë të fatit, pa asnjë informacion zyrtar për të ardhmen e tyre.

Mbi 140 motra medicinale dhe punonjës të tjerë të spitalit zgjohen çdo mëngjes me shpresën se pritjes së gjatë do t’i vijë fundi dhe se do të mund të kthehen në shtëpi pranë fëmijëve dhe familjeve të tyre, me rroga të fituara me djersë. Ata shprehen se situata është bërë e padurueshme dhe se ndihen të harruar dhe të përçmuar nga Spitali i Tetovës.

Për portalin TS, disa prej tyre thanë se kanë frikë të dalin me emra, për shkak të presioneve dhe mungesës së sigurisë. Megjithatë, kanë vendosur që nesër të dalin në protestë për të kërkuar të drejtat e tyre minimale – kontrata pune dhe pagesa të rregullta. “Ne jemi të gatshëm që tre muajt e kaluar t’ia falim spitalit, por kërkojmë që muaji qershor të nisë me kontrata dhe siguri pune”tha një prej motrave medicinale për TS duke shtuar se festa e Bajramit do t’i gjejë fëmijët tyre me lot në sy dhe sofrat bosh.

“Nesër do të protestojmë. Kërkojmë që të nënshkruhen kontratat dhe të fillojnë pagesat. Në të kundërtën, spitali do të bllokohet dhe protestat do të radikalizohen,” shtoi ajo.

Ndryshe, ditëve të fundit, Spitali Klinik i Tetovës është përfshirë nga disa skandale që lidhen me punësime familjare, të cilat u bënë publike përmes portalit TS, pas çka pasuan edhe disa dorëheqje.

Të ngjajshme

Të fundit