Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka lënë të kuptohet se Bashkimi Evropian mund të jetë objektivi i radhës për vendosjen e tarifave tregtare. Ky paralajmërim vjen pas vendimit të administratës së tij për të aplikuar tarifa prej 25% për mallrat nga Meksika dhe Kanadaja, si dhe një taksë shtesë prej 10% për importet nga Kina.
Gjatë një deklarate për mediat në Maryland, pas kthimit nga Florida, Trump i tha BBC-së se tarifat mbi mallrat evropiane mund të vendosen “shumë shpejt”.
“Ata nuk i marrin makinat tona, nuk i marrin produktet tona bujqësore, nuk marrin pothuajse asgjë, ndërsa ne importojmë gjithçka prej tyre: miliona makina, sasi të mëdha ushqimesh dhe produkte bujqësore,” deklaroi presidenti amerikan.
Në të njëjtën kohë, Trump theksoi se ka marrëdhënie të mira me kryeministrin britanik, Sir Keir Starmer, dhe beson se çështjet tregtare me Mbretërinë e Bashkuar mund të zgjidhen. “Mbretëria e Bashkuar ka qenë jashtë linjës, por unë mendoj se një marrëveshje mund të arrihet”, tha ai.
Bashkimi Evropian, i përbërë nga 27 vende anëtare, ka dënuar vendimin e Trump për të vendosur tarifa mbi Kanadanë, Meksikën dhe Kinën, duke paralajmëruar se do të “përgjigjet me vendosmëri” nëse bëhet gjithashtu një objektiv i masave të reja tregtare.