6.8 C
Skopje
E mërkurë, 5 Shkurt, 2025

Trump propozon zhvendosjen e përhershme të palestinezëve nga Gaza, “Ne do të marrim kontrollin”

Presidenti Donald Trump u zotua të martën se Shtetet e Bashkuara do të merrnin përgjegjësinë e rindërtimit dhe stabilizimit të Rripit të Gazës pasi palestinezët të zhvendoseshin diku tjetër.

Kjo lëvizje do të mund të shkatërronte angazhimin dhjetëra vjeçare politik të Shteteve të Bashkuara ndaj konfliktit izraelito-palestinez.

Presidenti Trump njoftoi planin e tij të befasishëm, pa dhënë hollësi specifike, gjatë një konference të përbashkët për shtypin me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

Njoftimi pasoi propozimin tronditës të zotit Trump më herët të martën për zhvendosjen e përhershme të palestinezëve nga Gaza në vendet fqinje, duke e quajtur Rripin e Gazës, “një zonë të shkatërruar”.

“Shtetet e Bashkuara do të marrim kontrollin e Rripit të Gazës dhe ne do të bëjmë një punë të mirë atje”, tha Presidenti Trump në konferencën për shtypin. “Ne do të marrim përgjegjësinë në atë zonë dhe do të jemi përgjegjës për çmontimin e të gjitha bombave të rrezikshme të pashpërthyera dhe armëve të tjera atje.”

“Nëse është e nevojshme, ne do ta bëjmë këtë, ne do ta marrim atë pjesë, do ta zhvillojmë, do të krijojmë mijëra vende pune dhe do të jetë diçka me të cilën mbarë Lindja e Mesme mund të jetë krenare”, shtoi Presidenti Trump.

I pyetur se kush do të jetonte atje, Presidenti Trump tha se Rripi i Gazës mund të bëhet një shtëpi për “njerëzit e botës”.

Më herët, Presidenti amerikan Donald Trump propozoi zhvendosjen e përhershme të palestinezëve nga Gaza në vendet fqinje, duke e quajtur territorin palestinez një “zonë të shkatërruar” nga lufta, ndërsa po zhvillonte bisedime të rëndësishme me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

Presidenti Trump përsëriti thirrjen e tij për Jordaninë, Egjiptin dhe shtetet e tjera arabe për të pranuar banorë të Gazës, duke thënë se palestinezët nuk kishin alternativë tjetër veçse të largoheshin nga brezi bregdetar, i cili duhet të rindërtohet pas gati 16 muajsh të një lufte shkatërruese midis Izraelit dhe militantëve të Hamasit.

Por këtë herë Presidenti Trump tha se do të mbështeste zhvendosjen e palestinezëve “përgjithmonë”, duke shkuar përtej sugjerimeve të tij të mëparshme, që udhëheqësit arabë tashmë i kanë kundërshtuar me forcë.

Vetëm dy javë pas fillimit të mandatit të tij të dytë, Presidenti Trump priti kryeministri izraelit Netanyahun në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar të ardhmen e armëpushimit të brishtë në Rripin e Gazës, strategjinë kundër Iranit dhe shpresat për një shtytje të ripërtërirë për një marrëveshje normalizimi izraelito-saudite.

“Nëse ne do të mund të gjenim një vend të duhur toke dhe të ndërtonim disa vendbanime vërtet të bukura me shumë para në atë rajon, kjo do të ishte e sigurt. Mendoj se do të ishte një alternativë shumë më e mirë sesa të ktheheshin në Gaza. Unë nuk e di se si palestinezët mund të duan të qëndrojnë”, tha Presidenti Trump kur u pyet për reagimin e udhëheqësve palestinezë dhe arabë ndaj propozimit të tij.

Në praninë e kryeministrit Netanyahun në Zyrën Ovale, Presidenti Trump më vonë bëri komente të ngjashme, por sugjeroi që palestinezët të largoheshin përgjithmonë nga Gaza “në shtëpi të bukura dhe ku mund të jenë të lumtur, nuk do të pushkatoheshin apo vriteshin”.

Propozimi i Presidentit Trump u bëri jehonë dëshirave të së djathtës ekstreme të Izraelit dhe bie ndesh me angazhimin e ish-presidentit Joe Biden kundër zhvendosjes masive të palestinezëve.

Disa aktivistë të të drejtave të njeriut e kanë kritikuar propozimin e Presidentit Trump për zhvendosjen e palestinezëve, duke thënë se ai ngjan spastrimit etnik.

Zyrtari i lartë i Hamasit, Sami Abu Zuhri dënoi thirrjet e Presidentit Trumpit për largimin e banorëve të Gazës, duke e konsideruar “dëbim nga toka e tyre”.

“Ne i konsiderojmë ato një recetë për prodhim të kaosit dhe tensioneve në rajon, sepse populli i Gazës nuk do të lejojë që plane të tilla të kalojnë”, tha ai.

Takimi mes udhëheqësve të Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara, i pari i Presidentit Trump me një udhëheqës të huaj që nga kthimi në detyrë më 20 janar, kishte për qëllim të theksonte lidhjet e ngushta midis presidentit dhe Netanyahut pas një periudhe të marrëdhënieve të tensionuara midis kryeministrit izraelit dhe ish Presidentit Biden mbi trajtimin e luftës në Rripin e Gazës nga Izraeli.

Por Netanyahu gjithashtu mund të përballet me trysni nga presidenti amerikan ndonjëherë i paparashikueshëm, qëllimet më të gjera të politikës së të cilit për Lindjen e Mesme mund të mos përputhen gjithmonë me interesat e brendshme dhe gjeopolitike të zotit Netanyahut.

Presidenti Trump ndërmjetësoi marrëveshjet për normalizimin e marrëdhënieve mes Izraelit dhe katër shteteve arabe gjatë mandatit të tij të parë. Tani ai po synon arritjen e një marrëveshjeje më të gjerë përmes të cilës Izraeli do të vendoste marrëdhënie me Arabinë Saudite.

Por Arabia Saudite ka thënë se do të pajtohet me një marrëveshje të tillë nëse përfundon lufta në Gazë dhe nëse ekziston një rrugë e qëndrueshme për krijimin e shtetit palestinez në Gazë, Bregun Perëndimor dhe në Jeruzalemin lindor, territore që Izraeli i pushtoi në luftën e vitit 1967 në Lindjen e Mesme.

Shtetet e Bashkuara përkrahin krijimin e shtetit palestinez, por qeveria e Kryeministrit Netanyahu e kundërshton atë.

Hamasi, që konsiderohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ka liruar 18 pengje deri më tani, ndërsa Izraeli ka liruar qindra të burgosur palestinezë.

Lufta në Gazë filloi me sulmin e militantëve të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor të vitit 2023, gjatë të cilët ata vranë 1,200 persona dhe rrëmbyen 250 pengje.

Kundërofensiva e Izraelit gjatë 15 muajsh luftime shkaktoi vdekjen e 47,500 palestinezëve, mbi gjysma e të cilëve gra dhe fëmijë. Ushtria e Izraelit thotë se kjo shifër përfshin 17 mijë militantë të vrarë.

 

 

Burimi/ VOA

Të ngjajshme

Të fundit