Presidenti amerikan, Donald Trump, paralajmëroi një „luftë ekonomike“ dhe izolim të Iranit në përmasa të paprecedenta, në kushtet e ngecjes së negociatave me Teheranin. Njëkohësisht, ai paralajmëroi se edhe vendet që do t’i ofrojnë mbështetje ekonomike Iranit do të përballen me pasoja të rënda ekonomike.
“Askush nuk i ka dhënë Republikës Islamike të Iranit mundësi më të madhe se unë për të arritur një marrëveshje”, shkroi Trump në platformën e tij „Truth Social“, duke shtuar se Teherani “nuk e shfrytëzoi atë”.
“Prandaj, sot po shpall OPERACIONIN EKONOMIK MË TË ASHPËR që është ndërmarrë ndonjëherë kundër cilitdo shtet”, shkroi presidenti amerikan. Trump shtoi se bëhet fjalë për “luftë ekonomike dhe izolim në përmasa të paprecedenta”.
Ai paralajmëroi se vendet, institucionet financiare, kompanitë, aeroportet apo strukturat shtetërore të të cilave do t’i ofrojnë “çfarëdo lloj ndihme shpëtimi Iranit”, do të përballen edhe vetë me “pasoja të mëdha ekonomike”.
Njoftimi paraqet një forcim të mëtejshëm të presionit amerikan ndaj Teheranit, në kushtet e ngecjes së vazhdueshme të përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje.
Mediat iraniane sot nuk shfaqin shqetësim të madh lidhur me kërcënimet e Trumpit, duke vlerësuar se bëhet fjalë për vazhdimësi të politikës amerikane të presionit ndaj Teheranit, raportoi DPA.
Agjencia iraniane e lajmeve “Fars” në “Telegram” vlerësoi se deklaratat e fundit të Trumpit janë pjesë e „luftës psikologjike dhe fushatës propagandistike“ së zakonshme, duke kujtuar se presidenti amerikan edhe në të kaluarën ka paralajmëruar rënien e Iranit dhe masa me përmasa historike.
Agjencia iraniane „Tasnim“ vlerësoi se mesazhi i Trumpit “nuk përbën ndonjë zhvillim të ri”, pasi SHBA-ja prej vitesh përpiqet të bllokojë lidhjet financiare dhe ekonomike me Iranin.
Megjithatë, Irani “ka mësuar se si t’i anashkalojë këto kufizime dhe është bërë shumë i aftë në këtë drejtim”, raportoi “Tasnim” në “Telegram”.




