22.8 C
Skopje
E enjte, 20 Gusht, 2026

MPB: Mos bini pre e SMS-ve të rreme për gjoba në trafik

Ministria e Punëve të Brendshme paralajmëron qytetarët se po qarkullojnë SMS të rreme, përmes të cilave pretendohet se marrësi ka kryer shkelje në komunikacion dhe duhet të paguajë gjobë.

Sipas MPB-së, këto mesazhe përmbajnë lidhje të dyshimta, përmes të cilave qytetarëve u kërkohet të japin të dhëna personale ose bankare dhe të kryejnë pagesën e një gjobe të pretenduar.

Autoritetet theksojnë se bëhet fjalë për tentativë mashtrimi dhe vjedhjeje të të dhënave të ndjeshme.

Nga Ministria sqarojnë se SMS-të zyrtare për kundërvajtje duhet të kontrollohen me kujdes, ndërsa qytetarët këshillohen të mos hapin lidhje të dyshimta dhe të mos japin numrin e kartës bankare, fjalëkalime apo të dhëna të tjera personale.

MPB rekomandon që çdo mesazh i dyshimtë të verifikohet dhe, në rast dyshimi për mashtrim, të raportohet te institucionet kompetente.

Qytetarët që tashmë kanë futur të dhëna personale ose bankare përmes ndonjë lidhjeje të dyshimtë duhet menjëherë të kontaktojnë bankën e tyre dhe ta raportojnë rastin në polici.