Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, është kapur dhe është larguar me aeroplan nga Venezuela pasi SHBA-të kryen një sulm në shkallë të gjerë në kryeqytetin e Karakasit, njoftoi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Shpërthime të forta janë dëgjuar rreth orës 2 të natës me orën lokale në kryeqytetin e Venezuelës, Karacas. Agjencitë ndërkombëtare të lajmeve raportojnë për avionë ushtarakë që fluturonin në lartësi të ulët dhe për “të paktën shtatë shpërthime”. Wall Street Journal flet gjithashtu për praninë e helikopterëve ushtarakë.
Zyrtarë amerikanë i thanë CBS se presidenti Trump ka urdhëruar sulme ndaj Venezuelës, përfshirë objekte ushtarake. Qeveria venezueljane foli për agresion të Amerikës, ndërsa Nicolas Maduro shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në të gjithë vendi. Kreu i shtetit kolumbian Gustavo Petro shkroi në platformën X: “Po bombardojnë Karakasin. Lajmëroni të gjithë botën, Venezuela është sulmuar. Po bombardojnë me raketa”.
Në rrjetet sociale janë publikuar pamje të zjarreve të mëdha me kolona tymi, shkruan AFP, por nuk është e mundur të përcaktohet me saktësi vendndodhja e shpërthimeve. Sipas informacioneve të para, objektivat e goditura dyshohet se kanë qenë baza ushtarake, veçanërisht kazermat më të rëndësishme të vendit, Fort Tiuna, dhe baza ajrore La Carlota.
Sipas CNN, disa lagje të Caracas kanë mbetur pa energji elektrike. Prej javësh tensionet mes qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe asaj të Venezuelës janë shumë të larta, ndërsa ushtria amerikane ka shënjestruar kohët e fundit mjete lundruese që dyshohet se përdoren nga trafikantë droge.Të premten, Venezuela deklaroi se ishte e hapur për të negociuar një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike. Megjithatë, Maduro u shpreh në një intervistë të regjistruar më herët dhe transmetuar të enjten se SHBA-ja kërkon një ndryshim qeverie në Venezuelë dhe synon qasje te rezervat e saj të mëdha të naftës, përmes një fushate presioni që ka zgjatur prej muajsh dhe që ka nisur me një dislokim masiv ushtarak në Detin e Karaibeve ne muajin gusht.
Reagimi i Donald Trump
Donald Trump pohoi lajmet se Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një sulm në shkallë të gjerë kundër Venezuelës, e befasoi me deklaratën se tashmë janë kapur e larguar me avion nga vendi presidenti venezueljan Nicolas Maduro, së bashku me gruan e tij. “Ky operacion u krye në bashkëpunim me forcat e ligjit të SHBA-së. Detajet do të vijojnë më vonë. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!”, ishte mesazhi i tij në rrjetin social Truth Social.
Trumpi është zotuar vazhdimisht se do të kryente operacione tokësore në Venezuelë, e cila është prodhuese e naftës në Amerikën e Jugut, dhe e cila udhëhiqet nga Maduro që nga viti 2013. Shtetet e Bashkuara, opozita venezuelase dhe disa vende të tjera thonë se Maduro i manipuloi zgjedhjet vitin e kaluar për të qëndruar në pushtet. Trump nuk i ka treguar në hollësi qëllimet e tij, por, sipas Reutersit, ai ka ushtruar privatisht trysni ndaj Maduros që të largohet nga vendi. Të hënën, kreu i shtetit amerikane qe shprehur se do të ishte mencuri nga ana e Maduros të largohej vetë nga pushteti.
Reagime të forta ndërkombëtare
Reagimet kanë nisur nëpër botë, me Rusinë që e dënoi aksionin ushtarak të SHBA-së në Venezuelë duke thënë se nuk ka asnjë justifikim të qëndrueshëm për sulmin dhe se ideologjia ka mbizotëruar mbi diplomacinë. “Këtë mëngjes, Shtetet e Bashkuara kryen një akt agresioni të armatosur kundër Venezuelës. Kjo është thellësisht shqetësuese dhe e dënueshme”, deklaroi Ministria e Jashtme Ruse duke shtuar se “armiqësia ideologjike ka triumfuar mbi pragmatizmin e biznesit”. Spanja u ofrua menjëherë të ndërmjetësojë mes palëve për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore për Venezuelën. Ambasada e Italisë në Karakas i këshilloi qytetarët italianë që ndodhen atje të mos dalin nga shtëpitë, teksa kryeministrja Giorgia Meloni po e monitoron me kujdes situatën. Liderët e Kubës dhe Kolumbisë i dënuan ashpër shpërthimet e kërkuan një reagim urgjent nga komuniteti ndërkombëtar kundër atij që e përshkruan si sulm kriminal të SHBA-së ndaj Venezuelës. Presidenti kuban Miguel Diaz-Canel shkroi në platformën X se rajoni po “sulmohet brutalisht” dhe e quajti këtë “terrorizëm shtetëror kundër popullit të guximshëm venezuelian”. Trumpi e ka akuzuar Venezuelën se po e mbush SHBA-në me drogë, dhe administrata e tij prej muajsh ka bombarduar anije që vijnë nga Amerika e Jugut, të cilat pretendon se transportonin drogë.
