11.8 C
Skopje
E premte, 10 Prill, 2026

Turqia i dhuroi libra Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë

Në kuadër të aktiviteteve në lidhje me 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Türkiye-Shqipëri, u zhvillua ceremonia e dorëzimit të librave të dhuruara nga Biblioteka e Popullit e Presidencës së Türkiyes për Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, raporton Anadolu.

Në ceremoninë e dorëzimit të librave në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë ishin të pranishëm ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Piro Misha dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve.

Gjatë fjalës së tij, ambasadori Atay u shpreh se viti 2023 është i rëndësishëm, pasi festojnë 100-vjetorin e themelimit të Republikës së Türkiyes dhe 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Türkiyes dhe Shqipërisë.

“Marrëdhëniet midis Türkiyes dhe Shqipërisë janë marrëdhënie të veçanta me lidhje shumë të forta sociale dhe kulturore. Në kuadër të këtyre marrëdhënieve, Biblioteka Popullore e Presidencës së Türkiyes ka vendosur që të dhurojë një fond titujsh për Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë”, u shpreh ambasadori Atay.

Ambasadori turk tha se Ambasada e Türkiyes në Tiranë do të përpiqet maksimalisht që ky fond librash të shtohet.

Misha, nga ana e tij, falënderoi Ambasadën turke dhe Presidencën turke për dhurimin e librave.

“Është një pasurim i bibliotekës tonë. Me ambasadorin (Atay) kemi folur për një bashkëpunim afatgjatë, mjaft të rëndësishëm në shumë fusha, për t’i dhënë jetë në mënyrë konkrete bashkëpunimit me Türkiyen, në fushat e interesit të përbashkët”, tha Misha.

Misha tha se pjesa më e madhe e librave do të përdoren edhe për të krijuar një kënd të veçantë kushtuar kulturës moderne turke, sipas tij, krahas asaj të periudhës osmane. Ai shtoi se e rëndësishme është që këto libra të jenë të disponueshëm për kërkuesit, studiuesit dhe lexuesit.

Gjithashtu Atay dhe Misha nënshrkuan aktin e dhurimit të librave.

Ndërkohë, janë 222 tituj dhe afërsisht 400 kopje të librave në turqisht, shqip dhe anglisht, me tematika të ndryshme që janë dhuruar nga Biblioteka e Popullit e Presidencës së Türkiyes. Këto libra do të pasurojnë fondin e sallës orientale të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë të inauguruar së fundmi.

 

Burimi Anadolu Agency

Të ngjajshme

Të fundit