Bashkimi Evropian më 25 qershor do të fillojë zyrtarisht bisedimet për anëtarësimin e Ukrainës në bllok, duke hedhur poshtë përpjekjet ruse për ta detyruar fqinjin e saj të mos bashkohet me aleancat perëndimore.
Bëhet e ditur se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, pritet të mbajë një fjalim në ceremoninë e nisjes, të asaj që zyrtarja më e lartë e Ukrainës për Evropën, Olga Stefanishyna, e përshkroi si “ditë e madhe”.
Ajo njoftoi se pavarësisht luftës, Ukraina nuk do të kërkojë trajtim të veçantë gjatë negociatave, shkruan skynews.
“Ky është vullneti i popullit ukrainas”, tha Stefanishyna, zëvendëskryeministrja për integrimin evropian dhe atlantik të Ukrainës.
“Është një ditë e madhe për të gjithë”, shtoi ajo duke shfaqur emocione ndërsa përshkruante procesin e integrimit.
“Kanë kaluar rreth dy vjet që kur Ukraina aplikoi për anëtarësim. Lufta vazhdon ende, por negociatat për pranimin e saj po fillojnë tani”.
Ndryshe, ndërsa vlerësohet për përparim që nga aplikimi i saj, Ukraina duhet të kryejë dhjetëra reforma institucionale dhe ligjore të nevojshme për anëtarësim.