Me një ceremoni solemne edhe Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup shënoi fillimin e vitit akademik dhe bëri hapjen e objektit të ri për 840 studentët e rinj, të cilët iu bashkëngjitën 3,700 studentëve aktual, në 8 fakultetet e UNT-së me mbi 30 programe studimore. Rektori i UNT-së Prof.dr. Izet Zeqiri u uroi mirëseardhje të gjithë studentëve të rinj, për një vit sa më të mbarë akademik duke potencuar se Universiteti ofron studime cilësore, programe studimore me krahasueshmëri ndërkombëtare dhe diploma të pranuara edhe jashtë vendit, ku studentët mund t’i vijojnë studimet e mëtejme ose të inkuadrohen në punë, sipas kualifikimit dhe përgatitjes së tyre profesionale.
“Dita e parë e juaja është e veçantë, sepse ju po filloni me mësim në kampusin më të bukur të UNT-së këtu në Shkup. Ne tanimë si Universitet kemi shtëpinë tonë. Universiteti këtë vit ka regjistruar 840 student të ciklit të parë dhe këtë vit kemi një rritje prej 25 për qind në krahasim me vitin e kaluar. Universiteti ynë ofron studime cilësore, programe studimore me krahasueshmëri ndërkombëtare dhe diploma të pranuara edhe jashtë vendit, ku studentët mund t’i vijojnë studimet e mëtejme.”, – deklaroi rektori i UNT-së, Izet Zeqiri.
Suksese në vitin e ri akademik, studentëve u uroi edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, i cili kuadrit pedagogjik, jo vetëm në Universitetin “Nënë Tereza”, por edhe në të gjitha universitetet e vendit, u kërkoi të jetë në lartësinë e detyrës, duke ndarë njohuritë që zotërojnë me studentët dhe prej tyre të nxjerrin gjeneratë me të cilin të gjithë do të jemi krenarë dhe që do të jetë në gjendje të përballojnë sfidat e së ardhmes.
“Universiteti “Nënë Tereza” është institucion i sapo themeluar, që ky vit akademik e gjen me objekt të ri, por në të njëjtën kohë edhe me fakultete plotësuese, të cilat u aprovuan në vitin paraprak. Një fakt i mirë dhe i rëndësishëm është që numri i studentëve është rritur që dëshmon edhe një herë punën e rektorit dhe stafit të Universitetit që kemi rritje të numrit.”, – theksoi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri.
Edhe studentët u shprehën të kënaqur që do të jenë pjesë e këtij Universiteti, sidomos tani kur ka objekte të reja dhe me kushte evropiane për punë.
“Unë dëshiroj të studioj në drejtimin e shkencave kompjuterike, edhe për atë edhe kam zgjedh këtë drejtim. Ndërsa, Universitetin “Nënë Tereza” e zgjodha sepse kushtet të cilat mi ka ofruar, janë përshtatur me nevojat që kisha, gjithashtu edhe afërsia dhe objekti i ri ishte shumë mirë brenda.”, – theksoi një student.
“Njëra ndër arsyet është se është hapur një objekt i ri, por janë hapur edhe drejtime të reja, e të cilat ishin të nevojshme për gjuhën amtare dhe prandaj kemi zgjedhur të mësoj në atë drejtim në gjuhën amtare, kur tanimë ka mundësi.”, – u shpreh një studente.
“Suksesi im më ka sjellë këtu dhe kam vendosur të studioj në drejtimin ekonomi, e zbatuar dhe ndërmarrësi, sepse ai ka qenë qëllimi im çdoherë,”, – tha një student.
“Na kanë treguar se i kanë kushtet më të mira, por do ta shohim, unë do të studioj në drejtimin shkencat dhe inxhinieri kompjuterike.”, – tha një student tjetër.
Të pranishmëve iu drejtua edhe kryetarja e senatit të UNT-së, prof. dr. Suzana Jordanovska edhe prorektori për arsim në UNT, prof. Fati Iseni.
