Ismael “El Mayo” Zambada, një nga bosët më të mëdhenj të drogës në botë dhe kreu i kartelit Sinaloa në Meksikë, është arrestuar nga agjentët federalë amerikanë në El Paso, Teksas.

Zambada, 76 vjeç, bashkëthemeloi këtë organizatë kriminale me Joaquin “El Chapo” Guzman, i cili aktualisht është i burgosur në SHBA.

BBC raporton se përveç tij është arrestuar edhe djali i Guzman, Joaquin Guzman Lopez, sipas një njoftimi nga departamenti i drejtësisë amerikane.

Në një deklaratë të enjten në mbrëmje, Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Merrick Garland, theksoi se të dy ata udhëheqin “një nga organizatat më të dhunshme dhe më të fuqishme të trafikut të drogës në botë”.

“El Mayo dhe Guzman Lopez janë pjesë e një liste në rritje të drejtuesve dhe bashkëpunëtorëve të kartelit Sinaloa që Departamenti i Drejtësisë po i sjell përballë drejtësisë në Shtetet e Bashkuara,” tha Garland.

Sipas prokurorëve amerikanë, karteli Sinaloa është furnizuesi më i madh i drogës në SHBA.

https://x.com/i/status/1816695020012908739