3.8 C
Skopje
E martë, 23 Dhjetor, 2025

VLEN drejt unifikimit, debat për modelin e kryetarit dhe strukturën e partisë së re

Koalicioni VLEN edhe më tej nuk ka ndërmarrë hapa konkret për shkrirjen në një parti të vetme politike. Kjo shkrirje është paralajmëruar qysh pas zgjedhjeve parlamentare por edhe pas zgjedhjeve lokale. Koordinatori i grupit parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku, thotë se liderët takohen dhe diskutojnë shpesh mbi këto tema dhe ka një harmoni pozitive. Bashkimi dhe njësimi thotë se do të ndodhin shumë shpejtë.

“Ka një lloj konsensusi, ka një lloj harmonie që duhet theksuar gjithmonë e lavdërueshme brenda VLEN-it dhe liderëve, por forma se si, kjo është e diskutueshme, pra si të jetë një formë e cila do të amortizojë në mënyrë maksimale pakënaqësitë e bazave të partive të ndryshme dhe ky lloj tranzicioni që do të kalojë nga një koalicion shumë partiak në një njësi sepse ne jemi të unifikuar”, tha Bekim Qoku – Koordinator i VLEN-it.

Në tavolinë janë dy opsione njoftoi u.d kryetari i ri i Alternativës, Bekim Sali. E para rotacion i dy kryetarëve, dhe rotacion i katër kryetarëve. Për Alsat, Sali thotë se opsioni më i mirë do të ishte propozimi i ish-kryetarit të Alternativës Zeqirija Ibrahimi, që kryetarët të ndërrohen çdo vit.

“Unë mendoj se ky është versioni më demokratik, më i kapshëm për të gjithë, më gjithëpërfshirës, nuk përjashton asnjë nga faktorët politik brenda VLEN-it, respekton të gjitha strukturat pa marrë parasysh në çfarë niveli të formimit apo organizimit politik janë grupet e ndryshme politike. Për shembull ne kemi strukturim në gjithë territorin e RMV, organizatë tjetër politike nuk ka shtrirje por ne i respektojmë të gjithë faktorët që janë brenda VLEN-it”, deklaroi Bekim Sali – u.d Kryetar i Alternativës.

Gjithashtu javë më parë kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, theksoi se ideja është që VLEN-i si parti të ketë vetëm një kryetar megjithatë vendimet të merren në kuadër të një organi të quajtur presidencë i cili do të përbëhej nga eksponentë të lartë nga partitë përbërëse. Kjo do të parandalonte që në të ardhmen kryetari të mos mund ta rrëmbejë partinë dhe të përjashtojë të tjerët. /Alsat.mk

Të ngjajshme

Të fundit