Shkrirja e tre subjekteve politike shqiptare – Lëvizja Besa, AlternAtivA dhe Lëvizja Demokratike – në një front të vetëm të quajtur VLEN, ngriti pritshmëri por edhe skepticizëm.
Shkruan POPULLI.mk
A është kjo një shenjë e pjekurisë politike dhe fuqizimit të përfaqësimit shqiptar, apo një manovër e përkohshme që fsheh frikën nga humbja e peshës politike? Realiteti në terren tregon një përzierje emocionale mes aktivistëve dhe votuesve tradicionalë, të cilët ende nuk janë të gatshëm ta shohin “të vetin” duke iu nënshtruar drejtimit të “tjetrit”.
Kjo krijon sfida të mëdha për unitetin dhe funksionalitetin e koalicionit, sidomos në nivel lokal ku lidhjet emocionale me liderët janë më të forta.
Pyetja e madhe që qëndron pezull është se kush nga liderët do të ishte më i pranueshëm për ta udhëhequr këtë bashkim? Kasami me strukturën komunale, Mexhiti me përvojën dhe imazhin e reformatorit, apo Ibrahimi si figurë kompromisi?
Taravari, që dikur ishte pjesë e kësaj strukture, tashmë është larguar nga VLEN dhe kjo ka ndryshuar ndjeshëm ekuilibrat. Me zgjedhjet lokale që po afrohen, dinamika është ndryshe – votat nuk janë më të garantuara, e sidomos jo ato 107 mijë që u arritën në zgjedhjet parlamentare. Largimi i Taravarit pritet të ndikojë negativisht në disa komuna kyçe dhe të krijojë hapësirë për rikthim të fuqishëm të BDI-së, e cila po pret me durim momentin për t’u hakmarrë politikisht.
Populli po e ndjen qartë lodhjen dhe zhgënjimin, ndërsa VLEN është tashmë pjesë e Qeverisë dhe përballë një përgjegjësie që nuk lejon më premtime boshe. Në vend që të shihen si alternativë shpresëdhënëse, disa prej figurave të tyre po perceptohen si “të vjetër në petk të ri”.
A do të arrijnë të ruajnë atë që ndërtuan, apo do të zhduken nga skena politike si shumë të tjerë më herët? Pyetja nuk është më vetëm a janë bashkë – por si janë bashkë, pse janë bashkë, dhe deri kur? / © POPULLI.mk