Koalicioni VLEN ka publikuar sot detaje të reja në lidhje me, siç e quan, “aferën më të madhe politiko-financiare në historinë e Maqedonisë së Veriut”, duke thelluar akuzat ndaj liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, dhe lidhjeve të tij të mundshme me qendra financiare në Beograd, informon POPULLI.mk
Në një konferencë për media, përfaqësuesi i VLEN-it, Bekim Fazliu tha se pas një jave hetimesh të mëtejshme, janë siguruar prova të reja që tregojnë për bashkëpunim financiar të hershëm ndërmjet kompanive të familjes Ahmeti dhe “Alta Banka”, bankë e lidhur me regjimin e Aleksandar Vuçiqit.
“Kompania ‘AS Senjak’, e cila tashmë dihet se ka përfituar miliona euro nga tenderët publikë, nuk është kompani e zakonshme, por epiqendra e një rrjeti biznesi që zotëron aksione në kompani të tjera,”, thuhet në kumtesën e VLEN-it.
Sipas VLEN-it, një nga kompanitë ku “AS Senjak” është bashkëpronare, më 9 qershor 2025 ka tërhequr një kredi prej 5 milionë euro nga Alta Banka në Beograd. Për këtë kredi, kompania është e obliguar të raportojë rregullisht në Bankën Popullore të Serbisë.
“Nuk flasim për shitjen e aksioneve para disa javësh, por për një injeksion financiar të mëparshëm nga banka e regjimit serb në perandorinë biznesore të Ali Ahmetit,” theksohet më tej.
VLEN pretendon se ky fakt hedh poshtë çdo pretendim për marrëveshje të izoluar biznesore dhe dëshmon “bashkëpunim të qëndrueshëm dhe të fshehtë” mes strukturave financiare të Beogradit dhe familjes Ahmeti.
Në kumtesë parashtrohen pyetje direkte për liderin e BDI-së:
“Kur ka filluar bashkëpunimi juaj me bankën e Vuçiqit? Për çfarë u përdor kredia prej 5 milionë euro? A janë këto para pjesë e një marrëveshjeje më të madhe që ende po fshihet nga opinioni publik?”
VLEN e përmbyll deklaratën duke theksuar se kjo nuk është më vetëm çështje korrupsioni politik, por “varësi financiare nga qendra që punojnë kundër interesave të shqiptarëve dhe vendit”, ndërsa heshtja e BDI-së, sipas tyre, “është vetëm konfirmim se janë kapur në krim dhe tradhti”.
“Ne nuk do të ndalemi. E vërteta duhet të dalë në shesh në tërësi,” thuhet në fund të kumtesës së VLEN-it. / © POPULLI.mk
