Edhe vetëm 30 ditë na ndajnë nga zgjedhjet lokale të 19 tetorit në Maqedoninë e Veriut, ku gara pritet të jetë e ashpër dhe vendimtare për të ardhmen politike të shqiptarëve në vend, shkruan POPULLI.mk
Fushata tashmë ka hyrë në një fazë intensive, ndërsa partitë po mobilizojnë strukturat e tyre për të siguruar mbështetjen më të gjerë të qytetarëve. Çdo komunë shihet si betejë e rëndësishme, duke qenë se rezultati i këtyre zgjedhjeve do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në balancat politike në nivel qëndror dhe lokal.
Koalicioni VLEN ka shpallur synimin e qartë për një fitore bindëse përballë kundërshtarëve të tij politikë, sidomos përballë frontit të ri të quajtur AKI. Përmes këtij rezultati, VLEN kërkon të dëshmojë se është forca politike që përfaqëson aspiratat reale të shqiptarëve, duke u angazhuar për reforma, zhvillim dhe barazi të plotë. Fitorja në shumicën e komunave shqiptare shihet si një hap i domosdoshëm për të thelluar dhe forcuar qeverisjen si në nivel qendror, ashtu edhe në atë lokal.
Nga ana tjetër, Aleanca Kombëtare për Integrim, e përbërë nga Ali Ahmeti, Ziadin Sela, Arben Taravari dhe Zejd Rexhepi, ka dalë me mesazhin e rikthimit të dinjitetit të shqiptarëve, që sipas tyre është humbur gjatë një viti e gjysëm. Ky koalicion po synon të bindë elektoratin se vetëm përmes bashkimit të tyre politik mund të garantohet një përfaqësim më i fuqishëm dhe më i drejtë për shqiptarët. Përballja mes VLEN-it dhe AKI-së pritet të jetë vendimtare, duke e bërë 19 tetorin një datë historike për skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut. / © POPULLI.mk