Gjykata Themelore në Prishtinë ka vazhduar masën e paraburgimit për Naim Murselin, Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën edhe për dy muaj të tjerë, të dyshuar për vrasjen e Liridona Ademajt.
Të tre autorët e dyshuar të krimit do të mbesin në paraburgim deri më 24 dhjetor 2024.
“Me datë 24.10.2024, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka miratuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve N.M, G.P dhe K.K. Masa e paraburgimit për secilin prej tyre është vazhduar për dy muaj, duke e çuar deri më 24.12.2024,” njoftoi për “Betimi për Drejtësi” Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës.
Vrasja e Liridona Ademajt
Ngjarja tragjike ndodhi më 29 nëntor 2023 në Prishtinë, ku 30-vjeçarja Liridona Murseli u vra me armë zjarri teksa po kthehej në shtëpi me bashkëshortin Naim Murseli dhe dy djemtë e tyre të mitur. Vrasja u krye pranë banesës së çiftit, në një rrugicë të errët dhe pa kamera sigurie.
Naim Murseli, i dyshuar për porositjen e vrasjes, sipas akuzave, planifikoi një skenar për të eliminuar nënën e djemve të tij, duke menduar se do të dilte i pafajshëm, por plani i tij u zbulua brenda dy ditësh pas ngjarjes.
Pas vrasjes, Murseli, këshilltari i Behgjet Pacollit, për të cilin dyshohet se kishte premtuar 30 mijë euro Granit Plavës, pretendoi se Liridona ishte ekzekutuar nga grabitës të armatosur.
Ai shpjegoi para hetuesve se, pas incidentit, kishte marrë fëmijët dhe ishte larguar nga makina, ndërsa sipas tij, bashkëshortja kishte mbetur në automjet dhe kishte bërë rezistencë ndaj grabitësve, të cilët e qëlluan me armë.
Zbulimi i Krimit
Më 1 dhjetor, Naim Murseli organizoi ceremoninë mortore për nënën e djemve të tij në fshatin e tij në Cërmjan të Gjakovës, ku priti miq, të afërm dhe familjarë që shkuan për ngushëllime.
Por vetëm disa orë pas varrimit të Liridona Murselit, ai u arrestua së bashku me Granit Plavën dhe nipin e tij, Kushtrim Kokollën, pjesëtar i Forcave Speciale të Kosovës.
Arrestimet u realizuan pas një operacioni policor në dy lokacione të ndryshme në Gjakovë. Gjatë operacionit, u gjet arma e krimit që dyshohet se u përdor për vrasjen e Liridona Murselit, si dhe automjeti i përdorur nga autorët.