Nuk kemi alternativë tjetër përpos të vazhdojmë të luftojmë për mbijetesën e sistemit dhe për sundimin e të drejtës, mbi sistemin e sundimit të fuqisë dhe ndryshimin e kufijve me përdorimin e forcës, porositi kryetari Talat Xhaferi në fjalimin në Mbledhjen në nivel të lartë të kryetarëve të parlamenteve të vendeve anëtare të NATO-s “Sfida globale, partnerë globalë, NATO global”, që mbahet sot dhe nesër në Uillnus.
Beteja jonë, theksoi Xhaferi, doemos të vazhdojë me vendosmëri përmes përforcimit të partneriteteve ekzistuese dhe kërkimit të partneriteteve tjera, kreative dhe aleancave me shtete dhe organizata që akoma besojnë në një botë të bazuar mbi vlerat demokratike dhe liberale, në mbrojtjen e tyre, qëndrueshmërinë afatgjate dhe rezistencën ndaj këtyre proceseve negative. Neve, si përfaqësues të popullit, na mbetet të vazhdojmë ti promovojmë besimin dhe korrektësinë e multilateralizimit, si mekanizëm i vetëm i cili mundëson paqe dhe prosperitet në botë.
Ai theksoi se vendi duke përmbushur qëllimin strategjik – anëtarësimin në NATO, arriti të mbrojë pavarësinë, integritetin territorial, paprekshmërinë e kufijve të njohur ndërkombëtarisht, por edhe të promovojë politikën e fqinjësisë së mirë dhe stabilitetin në rajon më të gjerë.
“Vendi im, Republika e Maqedonisë së Veriut është shembull i vendit që ka qenë importues, ndërsa sot është eksportues i paqes, partner aktiv dhe kontribuues në Aleancë. Përpjekjet tona për të kontribuuar në paqen dhe sigurinë globale paraqesin udhërrëfyes për institucionet tona, për përgatitjen e tyre të vazhdueshme të kapaciteteve dhe aftësive për pjesëmarrje në misionet dhe operacionet ndërkombëtare të NATO-s, por edhe të Bashkimit Evropian dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, tha Xhaferi.
Ai tha se trendët e ri global të sigurisë dhe gjeopolitikës përmbajnë në vete rreziqe për sigurinë e shteteve, për çka nevojitet ndërtimi i mekanizmave përkatëse të përgjigjes dhe veprimit më gjithëpërfshirës nga ana e të gjithë faktorëve.
Ndryshimet në mjediset e sigurisë, theksoi Xhaferi, nuk lejojnë që kanosjet të perceptohen në mënyrë të veçuar, si paraprakisht, por kërkojnë modernizim të kapaciteteve dhe gatishmëri për veprim të vendosur. Këtu do i kisha veçuar në veçanti ndikimet në rritje të vendeve të treta, rrjedhat e migracionit dhe ndryshimet klimatike, pandemitë, kanosjet hibride, lajmet e rrejshme dhe dezinformacionet, brishtësinë e sistemeve furnizuese, varësinë nga resurset e rëndësishme strategjike dhe inteligjencën artificiale.
Sipas Xhaferit sot, për fat të keq, jemi dëshmitarë të kuptimit të ndryshëm të zbatimit dhe funksionimit të multilateralizimit, si edhe të vendosjes së modeleve të reja të demokracisë së ashtuquajtur alternative. Sistemet e atilla të rregullimit sigurojnë për vete garanci të brendshme juridike për sundim të pakufizuar, për demonizim të arsyeshëm të oponentëve politikë, mohim dhe kriminalizim të lirisë të të shprehurit. Ajo që brengos më së shumti, është trendi i tyre për eksportimin e demokracisë së ri-modeluar jashtë kufijve të tyre dhe përfitimit të shteteve tjera në rregullin e tyre të ri-krijuar. Ndër instrumentet që i shfrytëzojnë për kontestimin e peizazhit global demokratik politik janë kanosjet hibride, lajmet e rrejshme dhe dezinformacionet që ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në sigurinë e shoqërive tona, e gjithë kjo pa e shfrytëzuar armatën ose armët luftarake.
“Ndikimi i tyre i qëlluar përmes luftës ideologjike e godet rezistencën tonë demokratike, e zvogëlon besimin e qytetarëve në qeveritë dhe parlamentet e zgjedhura demokratike dhe perceptimin e qytetarëve se institucionet kanë kapacitet ti menaxhojnë këto dukuri. Rajoni jonë i Ballkanit Perëndimor është dëshmitar i gjallë i këtyre aktiviteteve, sidomos në dekadën e fundit. Pyetja që parashtrohet këtu është vallë, NATO-ja ndryshohet ose po ne si vende anëtare dhe si parlamente kontribuojmë në këtë ndryshim dhe adaptim për ardhmërinë? Jam personalisht i bindur se deri tani i menaxhojmë me sukses problemet dhe se në historinë e Aleancës, kurrë nuk kemi qenë më të bashkuar për mbijetesën e saj dhe për promovimin e vlerave dhe mundësive të saj në skenën botërore politike dhe të sigurisë. Në këtë botë komplekse shumë-polare, që e sfidon globalizimin dhe multilateralizimin, si shtete dhe politikanë doemos të veprojmë shpejtë dhe të parandalojmë copëzimin e këtillë, sepse i njëjti paraqet kanosje serioze për gjithë botën”, tha Xhaferi.
Në këtë ngjarje marrin pjesë kryetarët e parlamenteve të vendeve anëtare në NATO, kryetarja e Asamblesë Parlamentare e NATO-s, Zhoel Gerio Mejlam, ndihmës-sekretarja e përgjithshme e NATO-s për Diplomaci Publike, Baiba Brazhe në emër të Sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe kryetari i Verhovna Radës së Ukrainës, Rusllan Stefançuk, paralajmëroi shërbimi për shtyp i qeverisë.
Diskutimi është ndarë në tre panele: Sfida globale, partnerë globalë, NATO global, Transformimi i brendshëm: Rritja e harxhimeve për mbrojtje, përforcimi i forcave të parandalimit dhe mbrojtjes, Ukraina e fuqishme dhe e pavarur: Plani për mbështetje afatgjate të Ukrainës, ndërsa Kryetari Xhaferi, nga ana e organizatorëve është paraparë të jetë folësi kryesor në panelin e parë.
Në margjinat e takimit, për pjesëmarrësit është parashikuar ndjekje e stërvitjes demonstruese të realizuar nga grupi luftarak i NATO-s “Prezencë e derdhur e përforcuar”.
Në përbërje të delegacionit të Maqedonisë së Veriut i kryesuar janë edhe deputetët Mile Talevski, Dragan Kovaçki dhe Vjollca Ademi.