Të nderuar miq, dashamirës, pjesëmarrës të këtij promovimi!
Më lejoni që në fillim të shpreh kënaqësinë time në këtë rast kur si shkas është promovimi i librit “Çohu e ndriço” i autorit Belkis Latifi, libër ky që duket qartë se para nesh vjen si një reagim i brendshëm ndaj dukurive e paradokseve të shumta brenda shoqërisë ku jetojmë e veprojmë ne si individë dhe si qytetarë.
Në të vërtetë, duke u provokuar nga shumë gjëra të pahijshme e të padenja që ndodhin rreth nesh, për të cilat fatkeqësisht është krijuar një indiferencë e çuditshme dhe madje edhe e pashpjegueshme, autori merr guximin që të prononcohet lidhur me to, duke e ngritur zërin dhe duke u bërë gjykues i tyre me forcën e arsyes e të logjikës intelektuale.
Vetë titulli i librit “Çohu e ndriço”, realisht është një thirrje apo kushtrim për të gjithë ne që jemi dëshmitarë të drejtpërdrejtë në jetën tonë shoqërore. Pra, siç mund të shihet, ai në mënyrë urdhërore drejtohet për të hedhur dritë mbi atë që ndodh para syve tanë. Në këtë mënyrë edhe roli i tij duket tejet iluminist e humanist, për arsye se e ka parë rrezikun që na kërcënohet çdo ditë më tepër. Koncepti i dritës si një filozofi e njohur, na e kujton thënien e famshme të Gëtes “mehr licht” (më shumë dritë), të cilën e risjell edhe Belkis Latifi në formën e tij eseistike, duke konsideruar se kjo shoqëri kaq e trazuar, më shumë se për çdo gjë tjetër, ka nevojë për dritë.
Le ta perceptojmë e kuptojmë si të duam këtë udhëzim të tij, por esenca do të na çojë pikërisht te vlerat, te dija, te aftësia që nevojitet të jetë prioritet. Atë që e shohim çdo ditë tek përmbysen gjërat me kokë teposhtë, duke bërë që të dalin në sipërfaqe pseudovlerat e paaftësitë e njerëzve, me leximin e këtij libri na lindin shumë pyetje e dilema personale të cilat patjetër duhet t’i shqyrtojmë me vetëdije dhe etikë intelektuale. Libri i Belkis Latifit është alarm intelektual, thirrje për t’u ndërgjegjësuar dhe për të ndihmuar të gjithë që të dalim nga ky kaos i krijuar që po na shpie drejt humnerës e zhbërjes.
Pa dashur që ta zgjas më tepër, unë uroj sinqerisht që ky libër i Belkis Latifit të na shërbejë si një ftesë intelektuale që bashkërisht të ndihmojmë për kapërcimin e këtij kaosi marramendës. Libri në fjalë është eseistik. Dhe si i tillë na sjell situata e përsiatje të mjaftueshme për ta parë veten si në pasqyrë dhe për të reflektuar me arsye të shëndoshë.
Prandaj, le të jemi më të vëmendshëm dhe më etikë ndaj veprimeve tona në kuadër të shoqërisë ku jetojmë e punojmë.
Falemnderit për vëmendjen!
Shkup, 9.10.2023
