Zv.Ministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri nëpërmes një reagimi në rrjete sociale ka bërë me dije se gjuha shqipe duhet të rikthehet aty ku e ka vendin, në ballë të kombit, informon POPULLI.mk
KALTRINA Z-SH:
Miq,
Ne mund të dallojmë në kahje, por që të gjithë, si Shqiptarë, jemi të rreshtuar në një vijë, sepse është koha që gjuha shqipe, ky bosht i qenies sonë kombëtare, të rregullohet dhe të avansohet në piedestalin që meriton. Pas 20 vitesh status quo-je, me trajtimin e çështjes si anësore dhe të dorës së dytë, tani fillon etapa e rivlerësimit, në të cilën kërkojmë që gjuha jonë të respektohet dhe të vlerësohet ashtu siç ne vlerësojmë dhe respektojmë gjuhët e popujve të tjerë, gjithashtu si bosht i qenies së tyre.
Vërtet, asgjë nuk mund të ndalojë realizimin e një ideje të cilës i ka ardhur koha. Kjo do të thotë se ka skaduar koha e trajtimit të gjuhës shqipe si “as në qiell dhe as në tokë,” siç është bërë për dekada. Gjithsesi, VLEN mund të kishte zgjedhur rrugën e pajtimit me këtë status quo, një gjendje kalkulimesh në kurriz të gjuhës, siç është bërë deri më tani. Por VLEN nuk e konsideron këtë sfidë dhe fitore të pashmangshme si sfidë apo fitore partiake, por si mundësi për bashkim forcash për të mirën e përbashkët.
Prandaj, të frymëzuar nga fjalët e Abraham Lincoln-it, “pa zili ndaj kujtdo, me mirësi ndaj të gjithëve, me këmbëngulje në drejtësinë që Perëndia na dhuron për të parë të drejtën,” le ta ngremë gjuhën tonë të lashtë aty ku gjithmonë e ka pasur vendin: në ballë të kombit!