25.4 C
Skopje
E mërkurë, 17 Qershor, 2026

Zekolli-Shaqiri: 25 milionë euro për Çairin, fillon projekti gjigant i sheshit “Skënderbeu” dhe parkingut nëntokësor

Zv.ministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, ka bërë të ditur se ka filluar procedura e tenderimit për projektin më të madh kapital në historinë e Komunës së Çairit – ndërtimi i fazës së tretë të sheshit “Skënderbeu”, i cili përfshin edhe parkingun modern nëntokësor, me vlerë mbi 25 milionë euro, informon POPULLI.mk

Ky investim, që financohet plotësisht nga Qeveria dhe Ministria e Infrastrukturës, sipas saj do të transformojë tërësisht hapësirën qendrore të komunës, duke e bërë atë më moderne dhe funksionale për qytetarët.

“Projekti do t’i japë sheshit ‘Skënderbeu’ një funksion krejtësisht të ri. Parkimi mbi sipërfaqe do të eliminohet dhe hapësira e liruar do të kthehet në një shesh të hapur për qytetarët, të përshtatshëm për tubime publike, manifestime dhe ngjarje kulturore”, theksoi Zekolli Shaqiri.

Parkingu i ri do të ndërtohet në dy nivele nëntokësore, me një sipërfaqe prej 12.520 metrash katrorë dhe kapacitet për mbi 400 automjete. Kjo pritet të zgjidhë problemin e kahmotshëm të mungesës së vendeve të parkimit në zonën e Çarshisë, duke përmirësuar qasjen dhe duke gjallëruar jetën tregtare e kulturore në këtë pjesë të Shkupit.

Zv.ministrja shtoi se ky projekt është dëshmi e qeverisjes me përgjegjësi dhe orientimit drejt veprave konkrete:

“Ne nuk bëjmë vetëm premtime, por sjellim investime kapitale që i japin komunës një fytyrë të re dhe e bëjnë Çairin një vend të denjë për qytetarët e tij”.

© POPULLI.mk