Në kuadër të Forumit Ndërkombëtar “Rruga e Mëndafshit”, zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, zhvilloi një takim të frytshëm me zëvendësministrin e Transportit të Republikës së Turqisë, Osman Boyraz, ku u diskutua forcimi i bashkëpunimit dypalësh në fushën e transportit dhe infrastrukturës, informon POPULLI.mk
Gjatë takimit, palët theksuan rëndësinë e projekteve që synojnë rritjen e lidhshmërisë rajonale, efikasitetin e logjistikës dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Zëvendësministrja Zekolli Shaqiri vlerësoi Turqinë si një partner strategjik dhe mik të çmuar të Maqedonisë së Veriut, me të cilën ndahet vizioni për ndërtimin e një rrjeti modern, të sigurt dhe të integruar transporti, në përputhje me standardet evropiane dhe parimet e Rrjetit Transevropian të Transportit (TEN-T).
“Ky takim riafirmoi përkushtimin tonë për bashkëpunim të thelluar institucional dhe shkëmbim përvojash, me fokus në digjitalizimin e shërbimeve të transportit, mobilitetin e gjelbër dhe ndërlidhjen infrastrukturore midis rajoneve,” theksoi Zekolli Shaqiri.
Në përfundim, ajo nënvizoi se bashkëpunimi i sotëm me Turqinë është një investim për lëvizshmërinë e nesërme, duke shtuar se përpjekjet e përbashkëta do të kontribuojnë në rritjen e konkurrueshmërisë ekonomike dhe integrimin rajonal të vendit. / © POPULLI.mk