15.8 C
Skopje
E martë, 10 Mars, 2026

Zekolli-Shaqiri: Nuk ka ulje të mjeteve për Korridorin 8, projekti po vazhdon sipas planit

Zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, ka reaguar ndaj informacioneve të publikuara në media për një ulje të pretenduar të mjeteve për realizimin e Korridorit 8, duke theksuar se këto pretendime nuk përputhen me të dhënat zyrtare, informon POPULLI.mk

Sipas saj, në bazë të planprogramit të Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore, për vitin 2026 për projektet e “Korridori 8 dhe Korridori 10d” janë paraparë rreth 103 milionë euro.

Ajo bëri të ditur se mbi 60 milionë euro nga këto mjete tashmë janë lëshuar gjatë këtij viti, në mënyrë që kompania realizuese të vazhdojë punimet në terren sipas planprogramit dhe dinamikës së paraparë.

“Ky fakt dëshmon qartë se nuk bëhet fjalë për reduktim të mjeteve, por për vazhdim të realizimit të projektit sipas planifikimit financiar dhe operacional”, theksoi Zekolli Shaqiri.

Sa i përket çështjes së punëtorëve të angazhuar në projekt, ajo sqaroi se menaxhimi i fuqisë punëtore është përgjegjësi ekskluzive e konsorciumit realizues. Sipas saj, edhe kompania Bechtel & Enka ka deklaruar publikisht se çdo riorganizim i stafit është vendim i saj operacional dhe nuk lidhet me detyrime financiare të papërmbushura nga ana e shtetit.

Zëvendësministrja theksoi se Korridori 8, së bashku me Korridorin 10d, mbeten ndër projektet më të rëndësishme strategjike dhe infrastrukturore për vendin.

Ajo shtoi se me ardhjen e qeverisë aktuale janë intensifikuar punimet në secilin segment të projektit, duke siguruar që progresi në terren të jetë i dukshëm dhe të avancojë sipas planit.

Sa i përket segmentit të fundit që parashikon lidhjen me Shqipëria, Zekolli Shaqiri theksoi se trasa e projektuar nga qeveria e kaluar nuk ka qenë e verifikuar në raport me kufizimet që lidhen me zonat e mbrojtura nga UNESCO.

Sipas saj, projekti me trasenë ekzistuese është dërguar për shqyrtim në UNESCO dhe institucionet do të veprojnë në përputhje me vlerësimin përfundimtar, ndërkohë që po shqyrtohen edhe alternativa të tjera të mundshme për realizimin e plotë të korridorit dhe lidhjen me Shqipërinë.

“Nuk qëndrojnë përpjekjet për ta paraqitur këtë projekt si të bllokuar. Faktet dhe të dhënat zyrtare janë të qarta: projekti po vazhdon sipas planit dhe mbetet prioriteti kryesor infrastrukturor i shtetit”, theksoi Zekolli Shaqiri. / © POPULLI.mk

Të ngjajshme

Të fundit