Presidenti Volodymyr Zelensky, tha se dëshiron të dyfishojë kapacitetet e mbrojtjes ajrore të Ukrainës gjatë verës, pasi shteti pranoi sistemin e tretë Patriot nga Gjermania më 5 korrik.
Moska në pranverë rinisi sulmet e saj ajrore ndaj sistemit energjetik të Ukrainës, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë.
Zelensky tha se shteti i tij ka nevojë edhe për të paktën shtatë sisteme Patriot – të prodhimit amerikan – për të mbrojtur veten.
“Ua kam caktuar për detyrë ekipit tim që të dyfishojnë aftësitë tona të mbrojtjes gjatë kësaj vere, kryesisht me Patriot dhe [sisteme] të tjera”, tha Zelensky, duke iu referuar sistemit amerikan, Hawk dhe atij gjerman, Iris.
“Tani ne kemi nisur të shohim rezultate”.
Në komentet e tij, që u publikuan në Telegram, Zelensky tha se Ukraina po ashtu të premten pranoi “ndihmë shtesë” nga Shtetet e Bashkuara, por nuk dha detaje.
Ndërkaq, Zelensky po ashtu falënderoi Gjermaninë për sistemin e tretë Patriot që shkoi në Ukrainë.
