Presidenti Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Ukraina do të ketë nevojë për mbështetjen financiare evropiane për të vijuar luftën ndaj trupave ruse për dy apo tre vite të tjera.
“Ua kam thënë të gjithë liderëve evropianë se nuk do të luftojmë për dekada, por duhet të tregoni që për një periudhë të caktuar do të mund t’i jepni mbështetje financiare të qëndrueshme Ukrainës”, ka thënë Zelensky.
Ai ka saktësuar se 2 deri në 3 vjet është periudha kur Komisioni Evropian pritet të zhbllokojë gradualisht asetet e ngrira ruse për të financuar vendin e përfshirë nga lufta.
Presidenti ka pranuar se forcat ruse kanë shkelur tashmë në qytetin lindor të Pokrovskut, të cilin Moska po përpiqet ta marrë prej më shumë se 1 viti.
“Rreth 200 rusë janë vendosur atje, në pika të ndryshme. E shohim këtë me anë të dronëve dhe Pokrovsku aktualisht është objektivi kryesor i rusëve”, ka thënë Zelensky për gazetarët.
Në vijim të fjalimit të tij, ai i ka bërë thirrje presidentit amerikan Donald Trump që të ushtrojë presion ndaj liderit kinez Xi Jinping që të reduktojë mbështetjen e tij për Rusinë, kur të takohet me të të enjten në Korenë e Jugut.
“Mendoj se kjo do të ishte një nga lëvizjet më të forta, sidomos nëse pas sanksioneve ndaj kompanive ruse, Kina do të jetë gati të ulë importet nga Rusia”, ka shtuar Zelensky.
