Nuk ka fund zemërimi i Barcelonës pas eliminimit të tyre nga Champions League ndaj Atletico Madrid. Skuadra e Hansi Flick ishte shumë pranë përmbysjes së disavantazhit 0-2 nga ndeshja e parë në “Camp Nou”, por nuk ishin në gjendje ta përfundonin këtë sukses, pavarësisht fitores (1-2).
Pati vendime të arbitrave, që krijuan polemika të shumta dhe sipas klubit katalanas, ndikuan në rezultat dhe i shkaktuan dëm të madh sportiv dhe ekonomik. Nisur nga kjo, klubi “Blaugrana” ka paraqitur përsëri një ankesë zyrtare në UEFA.
Deklarata zyrtare e Barcelonës
Barcelona ka paraqitur një ankesë në UEFA në lidhje me performancën e gjyqtarëve në ndeshjen çerekfinale të UEFA Champions League kundër Atlético de Madrid.
Klubi beson se gjatë dy ndeshjeve të barazimit, u morën disa vendime të gjyqtarëve, që nuk ishin në përputhje me Rregulloren e Lojës, si rezultat i një zbatimi të gabuar të rregulloreve dhe mungesës së ndërhyrjes adekuate nga sistemi VAR në veprime me rëndësi të qartë.
Sipas FC Barcelona, akumulimi i këtyre gabimeve ka pasur një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e ndeshjeve dhe në rezultatin përfundimtar të barazimit, duke rezultuar në një humbje të konsiderueshme sportive dhe ekonomike për klubin.
Përmes këtij pretendimi, klubi përsërit kërkesat e bëra më parë ndaj UEFA-s dhe, në të njëjtën kohë, ofron të bashkëpunojë me UEFA-n me qëllim përmirësimin e sistemit të arbitrimit në mënyrë që të garantohet një zbatim më rigoroz, i drejtë dhe transparent i Rregullores së Lojës.
Top Channel
