11.8 C
Skopje
E mërkurë, 25 Shkurt, 2026

Zëvendëskryeministri Bekim Sali u takua me ambasadorin e Mbretërisë së Suedisë

Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, u takua me Ambasadorin e Mbretërisë së Suedisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Ola Sohlström.

Gjatë takimit u riafirmua partneriteti i shkëlqyer ndërmjet dy vendeve, si dhe mbështetja e vazhdueshme e Suedisë për rrugëtimin evropian të Maqedonisë së Veriut. U theksua gjithashtu rëndësia e ruajtjes së momentumit pozitiv në politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Ministri Sali nënvizoi se integrimi evropian mbetet një nga prioritetet kyçe të Qeverisë, me fokus të veçantë në zbatimin e reformave në fushat themelore, veçanërisht në forcimin e shtetit të së drejtës dhe modernizimin e administratës publike.

Bashkëbiseduesit diskutuan mbi procesin e aderimit në BE, zhvillimet e fundit lidhur me Agjendën e Reformave dhe Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit rajonal si shtyllë e progresit drejt Tregut të Përbashkët Rajonal dhe integrimit gradual në Tregun e Vetëm të BE-së.

U theksua kontributi i rëndësishëm i Suedisë në Ballkanin Perëndimor përmes bashkëpunimit reformues për periudhën 2021–2027, me fokus në demokraci, të drejtat e njeriut, shtetin e së drejtës, barazinë gjinore, zhvillimin e qëndrueshëm mjedisor dhe ekonomik, si dhe ndërtimin e shoqërive paqësore dhe gjithëpërfshirëse.

Në përfundim, Ministri Sali falënderoi Ambasadorin Sohlström për mbështetjen e vazhdueshme të Suedisë dhe shprehu gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh dhe koordinimin në kuadër të perspektivës evropiane të vendit.

Të ngjajshme

Të fundit