16.8 C
Skopje
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Zgjedhje të reja me oferta të reja, apo me oferta të ricikluara e ambalazhuara?

Në një fushatë politike, bartëse e platformës është moto parazgjedhore. Megjithatë edhe detajet e ofertës janë mjaft të rëndësishme.  Më së vështiri do ta kenë partitë që më së gjati janë në skenën politike.

Ato i kanë harxhuar gati të gjitha agjendat dhe ofertat parazgjedhore, duke filluar nga agjendat kombëtare me temë gjuhën, barazinë, përfaqësimin, diskriminimin, e kështu me radhë. Tani do të vijë në shprehje kreativiteti i tyre për të ricikluar agjendat e harxhuara, me amblazh të ri, që do t’i bindte qytetarët se afati nuk u ka skaduar.

Në zgjedhjet e kaluara për herë të parë një parti shqiptare doli me ofertë jo-nacionale, por të gjelbër, mirëpo rezultatet nuk shkëlqyen. U tregua se ky “teren” ende është i panjohur për subjektet tona dhe se duhet kohë e gjatë për ta “pushtuar”, njëjtë sikur që u desh kohë e gjatë për të realizuar premtimet e Marrëveshjes së Ohrit, e që ende në disa pjesë nuk janë të mbyllura, shkruan Zhurnal.

Agjendën kombëtare ndoshta mund ta ngjallë përfshirja e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 8 majit. Kjo parti ka sjellur një qasje mjaft ndryshe në qeverisje në Kosovë, por që është më me rëndësi, qasje krejtësisht ndryshe edhe në negociatat dhe raportet me Beogradin. Këtë qasje e kanë përshëndetur gjithëshqiptarët e Ballkanit, me bidnjen se duhej thënë STOP njëherë e përgjithmonë lëshimit të vazhdueshëm pe para Beogradit.

Serbia jozyrtarisht, por gati edhe zyrtarisht, një kohë të gjatë përdorë serbët jashtë Serbisë, mos të themi shantazhon bashkësinë ndërkombëtare se nëse nuk plotësohen aspiratat e saj në negociatat me Prishtinën, mund t’i nxisë serbët e Kosovës dhe ato të Bosnje e Hercegovinës për të shkaktuar probleme. Kjo qasje e Beogradit gjatë kohë është kundështuar nga ndërkombëtarët, por për fat të keq qarqe të caktuara kohën e fundit kanë filluar ta pranojnë këtë si përparësi reale dhe praktike.

Në këtë drejtim, kyçja e Vetëvendosjes në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut mund të dërgojë mesazh se edhe shqiptarët mund të reagojnë të bashkuar në Ballkan, sikurse serbët. Është mirë që një porosi të tillë dje e dërgoi kryeministri shqiptar Edi Rama në takimin me sekretarin amerikan të shtetit Blinken, prandaj ndoshta do të ishte mirë që një porosi të tillë ta dërgojnë edhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Porositë tona nuk duhet të jenë aspak në stilin e Lista Srpska e Millan Radojçiqit, e as në stilin e Millorad Dodikut, por në kuptimin e bashkëunimit kundër një agjende negative dhe destabilizuese që Beogradi e ushtron vazhdimisht në Ballkan, në bashkëpunim me Moskën, shjkruan Zhurnal. Në këtë “mision” do të ishte e mirëseardhur përkrahje edhe e bashkëqytetarëve tanë maqedonas, e shembulli i luftës së qeverisjes së VV-së kundër korrupsionit mund të jetë një element që mund të përfitonte përkrahjen e tyre.

Është fakt se nga një pjesë e bashkëqytetarëve tanë kjo po konsiderohet si përzierje në punët e brendshme të Maqedonisë së Veriut, por gjithsesi që nuk ëshë ashtu, e këtë e bëri të ditur edhe presidenti Stevo Pendarovski. Zaten, pjesëmarrja e VV-së nuk mund të jetë më e rrezikshme se transferimi i një pjesë të sovranitetit shtetëror në nivel të “Open Ballkanit”, siç ndodhi dhe siç parashihej të zgjerohej edhe më tepër./Zhurnal

Të ngjajshme

Të fundit