Liderët botërorë bëjnë thirrje për ruajtjen e rendit, ligjit dhe institucioneve publike në Siri, pas largimit të presidentit sirian Bashar al-Assad dhe pas deklaratave të rebelëve të HTS se “Damasku, tani është i lirë nga Assadi”.
Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, ka shkruar se “Assadi është larguar nga shteti. Mbrojtësja e tij, Rusia, nuk ishte e interesuar që ta mbronte më”. Ndërkaq, Shefja për diplomaci e BE-së, Kaja Kallas, shkroi se fundi i diktaturës së Assadit është zhvillim pozitiv, po ashtu tregon dobësimin e mbështetësve të Assadit, Rusisë dhe Iranit. Edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se “më në fund ka rënë shteti barbar” i Assadit. Familja e presidentit Assad ka sunduar me grusht të hekurt këtë shtet për më shumë se 50 vjet. Një nga komandantët rebel tha se Siria është për të gjitha sektet.
“Ne po u dërgojmë një mesazh të gjitha sekteve të Sirisë. U themi se Siria është për të gjithë, pa përjashtime. Siria është për druzet, sunitët, alavitët dhe të gjitha sektet. Ne nuk do të merremi me njerëzit, ashtu siç bëri familja Asad”, tha Anas Salkhadi, komadant rebel.
Mes konflikteve dhe festimeve të shumta të sirianëve për largimin e Assad, edhe fqinjët e Sirisë kanë ndërmarrë masa urgjente, duke mbyllur kufijtë tokësor e duke vendosur trupa për mbrojtjen e kufijve. Ndërkohë, kryeministri sirian tha se Qeveria është “e gatshme të bashkëpunojë me çdo udhëheqje të zgjedhur nga populli”. Ofensiva e befasishme nisi më 27 nëntor nga grupi i rebelëve HTS, grup islamik i shpallur grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Kanadaja dhe Bashkimi Evropian. Ky grup kërkon themelimin e një shteti në Siri që qeveriste sipas ligjit islamik./Alsat.mk