Maqedonia e Veriut është në një situatë të pafavorshme për vendin dhe të ardhmen e vendit, ndodhet në një rrugë ku vështirë të shihet drita në fund të tunelit. Vendi është i vendosur para aktit të kryer, të bëjë ndryshimet kushtetuese ose të kthehet në pikën zero. Për të bërë ndryshimet kushtetuese, shumicës aktuale i duhen edhe votat e opozitës maqedonase dhe asaj shqiptare, por që Hristijan Mickovski kreu i VMRO-së ka vendosur përfundimisht qëndrimin e tij që është kundër dhe që asnjë deputet i kësaj partie nuk do të votojë për këto ndryshime, në të cilat bullgarët futen në Kushtetutë. Dhe, nëse asnjëri prej deputetëve të kësaj partie nuk voton për këto ndryshime, ndryshimet nuk do të ndodhin asnjëherë, sepse është çështje numrash. Nevojiten 80 deputetë, shumica aktuale sëbashku me gjitha partitë shqiptare bënë 74, duhet potencuar që nga opozita shqiptare Lëvizja Besa dhe Alternativa kanë kushtëzuar votat e tyre me largimin e 20 përqindëshin nga Kushtetuta për gjuhën shqipe. Mes tjerash, gjasat maksimale janë që ndryshimet e nevojshme të mos bëhen, çfarë pritet të ndodhë pas kësaj? shkruan Zhurnal.
Mickovski me vendim të prerë kundër ndryshimeve kushtetuese –
Ministria e Drejtësisë ditë më parë njoftoi se afati i fundit për propozimin e emrave për grupet e punës për ndryshimet kushtetuese vlen deri në 10 prill, e në këtë grup pune kanë qenë të ftuar gjitha partitë politike në vend. Ky afat tashmë ka skaduar, ndërkaq dy ditë para skadimit të afatit për propozimin e emrave për grupet e punës për ndryshimet kushtetuese, VMRO-DPMNE-ja doli me qëndrim të prerë se nuk merr pjesë.
Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski tha se pushteti po e politizon procesin e ndryshimeve kushtetuese. Sipas tij pa u garantuar 2/3 në Kuvend në këtë fazë të parë, puna e grupit të punës është krejtësisht e pa bazë. Duke komentuar refuzimin e modelit kroat nga ana e pushtetit, Mickovski tha se të parët që e kanë përmendur këtë model kanë qenë pushtetarët.
“VMRO-DPMNE nuk do të marrë pjesë në komisionin e punës të cilin e formon Ministria e Drejtësisë, ndërsa ka për qëllim që të punojnë për amendamentet e ndryshimeve Kushtetuese. Unë nuk isha ai që e flisja modelin kroat. Në gusht të vitit 2021 prej se e bënë problemin dhe pranuan diçka që nuk mund ta realizojnë Dimitar Kovaçevski në konferencë për mediat e tha këtë. Përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare në Maqedoni e përmendën modelin kroat si model i mirë, ministri i Punëve të Jashtme shumë herë e përdori modelin kroat si model i mirë”, tha Hristijan Mickovski, VMRO-DPMNE.
Nga Alternativa thonë se nuk do të marrin pjesë në Grupin e Punës, derisa nuk plotësohen dy kritere. E para të ketë takim liderësh kur do të arrihet konsensus politik dhe e dyta në rend dite të jetë propozim amendamenti kushtetues i Alternativës për luftë korrupsionit politik. Aleanca për Shqiptarët si pjesë e pushtetit mbase ka qenë e detyruar të merr pjesë në grupin e punës të thirrur nga bashkëpartiaku i tyre, Krenar Lloga, i cili po udhëheq me drejtësinë në vend. Nga Lëvizja Besa gjithashtu janë shprehur se do të marrin pjesë në këtë grup pune duke dërguar përfaqësuesin e tyre, por për ndryshimet kushtetuese kanë dhënë vendim të prerë se nuk do të votojnë derisa nuk largohet 20 përqindëshi nga Kushtetuta. BDI dhe LSDM si partnerët kryesor të këtij koalicioni veçmë kanë emëruar edhe përfaqësuesit e tyre, nga BDI është Arber Ademi.
Nëse nuk sigurohen 80 votat për ndryshimet kushtetuese, vendi do të kthehet mbrapa shumë –
Ndryshimet Kushtetuese janë vendimtare për ecurinë e vendit, nëse ndodhin vendi vazhdon rrugëtimin evropian, nëse nuk ndodhin vendi izolohet dhe pëson regres dhe sërish ballafaqohet me veton bullgare, pra kemi kthim në pikën zero. Mes tjerash, nga kjo situatë lirshëm mund të thuhet se po që ndryshimet Kushtetuese janë orientuese të vendit, pasi Maqedonia e Veriut është e orientuar drejtë Bashkimit Evropian gjegjësisht Perëndimit, nëse nuk ndodhin këto ndryshime atëherë orientimi i vendit vihet në rrezik sepse kjo qartazi është në favor të Rusisë. Marrëdhëniet Shkup – Sofje janë vendimtare për ecurinë e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
VMRO kategorikisht kundër, dhe të vendosur që asnjë milimetër nuk ndryshon qëndrimi i asnjërit prej deputetëve nga radhët e kësaj partie, mbi temën e ndryshimeve kushtetuese. Këtë gjë e shprehen edhe duke refuzuar që të dërgojnë përfaqësues në grupin e punës nga Ministria e Drejtësisë. Kjo do ta dëmton vendin në mënyrë të pa riparueshme sepse gjithë ai rrugëtim do të jetë kot, pasi puna kryesore në fund nuk po bëhet dhe vendi po bllokohet. Gjenda ekonomike do të rëndohet edhe më shumë, papunësia bashkë me dëshpërimin do të rritet edhe më shumë, mbështetja e BE-së do të zvogëlohet pasi Maqedonia e Veriut nuk ka respektuar marrëveshjen e nënshkruar ku për bazë kishte propozimin francez. Ditë jo të mira e presin vendin nëse ndryshimet e tilla nuk ndodhin.
Negociatat me BE-në janë hapur por nuk kanë filluar, varen nga ndryshimet kushtetuese, kthimi vetos bullgare kthen vendin në pikën zero-
Zyrtarisht, Bashkimi Evropian shpalli hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut më 19 Korrik 2022. Kjo erdhi 17 vite pasi Maqedonia e Veriut mori statusin e vendit kandidat, dhe 13 vite pas rekomandimit fillestar të Komisionit Europian për fillimin e negociatave të anëtarësimit me RMV. Në fjalimin e saj të 19 Korrikut, von der Leyen foli për “durimin strategjik, me bollëk” të treguar nga dy shtetet. Por edhe sa durim strategjik do t’u duhet të vazhdojnë të tregojë Republika e Maqedonisë së Veriut?
Kujtojmë që, Maqedonia e Veriut, aktualisht ndodhet në procesin e shqyrtimit të ligjeve të Bashkimit Evropian, në të cilin një vend familjarizohet me legjislacionin e BE dhe detyrimet që ato nënkuptojnë, ndërsa, në të njëjtën kohë Komisioni Evropian ekzaminon nivelin e përgatitjes së tij. Ky proces është hapi i parë në procesin më të gjatë të negociatave të anëtarësimit.
Prandaj, tani në këtë fazë është shumë e rëndësishme që të ruhen marrëdhëniet fqinjësore me Bullgarinë që kanë qenë edhe pengesa kryesore ndër vite që bllokonte Maqedoninë e Veriut drejtë anëtarësimit në BE. Tani kur kjo bllokadë është hequr, dhe RMV është kushtëzuar për të bërë ndryshimet kushtetuese që pakicat bullgare të futen si pjesë integrale në Kushtetutën e vendit, kjo është e tëra sipas propozimit francez që kanë pranuar dyja shtet. Dhe, tani prishja e marrëdhënieve prish punën e arritur deri më tani. Si dhe mos realizimi i obligimit për ndryshimet kushtetuese si pasojë e mos votimit të deputetëve të VMRO-së vendi do të kthehet aty ku ishte, dhe humbin gjitha shpresat e ndërtuara me vite, se jemi afruar drejt BE-së. /Zhurnal.mk
