Nga Republika e Maqedonisës së Veriut në pelegrinazh këtë vit do të shkojnë 2.030 besimtarë, që është më shumë se dyfishi i vitit të kaluar, kur në vendet e shenjta ishin 919 besimtarë, deklaroi për MIA-n, Irsel Jakupi, sekretar i përgjithshëm i Bashkësisë fetare islame.
“Numri është plotësuar sipas kuotës së caktuar nga Ministria e Haxhit të Arabisë Saudite dhe këtë vit do të jenë 2.030 besimtarë nga vendi që do të udhëtojnë drejt vendeve të shenjta edhe pse janë regjistruar mbi tre mijë. Besimtarët do të udhëtojnë nga data 16 deri më 21 qershor me fluturime çarter. Ata janë të moshave të ndryshme, përfshirë edhe fëmijë”, shtoi Jakupi.
Sipas tij, çmimi për aranzhman për pelegrinazhin 1444/2023 është 6.550 euro.
“Sa i përket Myftinisë së Dibrës, e cila përfshin komunën e Dibrës, Qendër Zhupën dhe Komunën e Mavrovë-Rostushë, këtë vit 30 besimtarë do të shkojnë në vendet e shenjta të Mekës dhe Medinës, ku realizohet shtylla e pestë e Islamit – Haxhi, krahasuar me vitin e kaluar kur ishin 12 besimtarë”, tha për MIA-n Orhan Zengo, sekretar i Myftinisë së Dibrës.
Festa e madhe e Kurban Bajramit, këtë vit bie më 28 qershor të këtij viti dhe festohet katër ditë.
