“TikToku” në Maqedoninë e Veriut çështje ditësh kërkohet që sa më parë të mbyllet për të vetmen arsye që të ruhet dhe garantohet siguria e nxënësve në shkolla. Institucionet e vendit kanë nisur konsultime me ekspertë në drejtim të marrjes së masave për parandalimin e akteve të dhunës, në shkolla dhe jashtë tyre. Aktivitetet janë intensifikuar, pas vrasjes së tetë nxënësve në një shkollë fillore afër Beogradit, më 3 mars, dhe tetë të tjerëve, dy ditë më vonë në vendbanimin Vraçar në të njëjtin shtet, Serbi. Ky aplikacion i formatit me video të shkurtra është në pronësi të kompanisë kineze, ByteDance. Por, këto raste tragjike që kanë ndodhur kanë qenë shtytëse që kjo çështje të bëhet temë diskutimi në Maqedoninë e Veriut deri në marrjen e një epilogu përfundimtar. Dhuna që promovohet çdo ditë në këtë platformë është faktori kryesor për egërsimin dhe sjelljen e dhunshme të të rinjve. Madje, është kurth që nxit të rinjtë për çështje shikueshmëri të bëjnë gjëra që nuk janë normale, vetëm për të tërhequr sa më shumë audiencë. Dhe, ky jo normalitet sjellë deri te rastet që mund të përfundojnë edhe me fatalitet duke viktimizuar edhe njerëz të tjerë. Prandaj, sa më parë që mbyllet dëmet janë aq më të riparueshme, shkruan Zhurnal.
Mbyllja e TikTokut alternativë për garantim të sigurisë të nxënsve?
Fati i platformës sociale “Tik-Tok” në Maqedoninë e Veriut aktualisht ndodhet në duart e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. I pari i këtij institucioni, Jeton Shaqiri për televizionin Alsat tha se nuk përjashtohet ndalimi i tërësishëm i kësaj platforme pasi që sipas tij, kufizimi apo rregullimi i përdorimit të tij vetëm në objektet e shkollave nuk do ta zgjidhte problemin.
“Ne fillimisht do të kërkojmë nga institucionet që merren me sigurinë kibernetike të përgatisin raport në lidhje me atë se çfarë publikohet në këtë platformë, grupmoshat e përdoruesve dhe ngjashëm. Deri në përfundimin e këtyre analizave, shqyrtojmë ndalimin e përkohshëm të Tik-Tok dhe pastaj nëse është e nevojshme, ndalimin e plotë pasi që nuk arrihet qëllimi në qoftë se ndalesa bëhet vetëm në objektet shkollore”, tha Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Ndalimi potencial i përdorimit të kësaj platforme po shqyrtohet jo vetëm në Maqedoninë e Veriut. Në këtë platformë po bëhen “sfida” të rrezikshme, ndërsa në vend kemi të regjistruar edhe viktima si pasojë e këtyre “lojërave”. Luka Paviqeviq nga Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme tha se është i vetëdijshëm për pasojat e kësaj platforme, megjithatë bën thirrja që rregullimi i tij të jetë afatgjatë dhe adekuat.
“Sa i përket propozimit që të ndalohet kjo platformë sociale, unë personalisht kam rezervë për këtë sepse duhet të mendohet në qoftë se realisht ajo ndalesë në fakt do të ishte e realizueshme, e dini se është shumë e lehtë që përmes përdorimit të një VPN-je tjetër të ndryshohet adresa e internetit, që në fakt do të thotë se IP-adresa nuk buron nga Maqedonia dhe sikush do të kishte qasje përsëri në Tik-Tok. Gjithashtu, çfarë do të ndodhte në qoftë se përmes kësaj këto aktivitete thjeshtë do të ishin transferuar nga Tik-Tok në ndonjë platformë tjetër” , u shpreh Luka Paviqeviq, kryetar i UNShM-së.
Përveç kësaj edhe deputetja Monika Zajkova do të propozojë ndërhyrje në disa ligje që kanë të bëjnë me sigurinë. Edhe atë rregullimin e përdorimit të “Tik-Tok” dhe rrjeteve tjera që nxisin dhunë, kontroll të lojërave të rrezikshme, ndryshime në pjesën e lëshimit dhe posedimit të armëve të zjarrit dhe ngjashëm. Ekspertët e sigurisë kibernetike me të cilët bisedoi televizioni Alsat thanë se ndalimi eventual i përdorimit të këtij rrjeti-sociale mund të bëhet përmes operatorëve që furnizojnë shtetin me internet. Rikujtojmë që psikologë dhe sociologë ka kohë që alarmojnë për faktin që ky aplikacion shkakton varësi për shkak të algoritmit jashtëzakonisht të personalizuar të përmbajtjes.
Si mund të mbyllet TikToku?
Ekspertët e sigurisë kibernetike thonë se ndalimi është i mundur, qoftë nga kompanitë e internetit, apo edhe nga vetë shteti, përmes bllokadave të ndryshme.
“Kjo mund të bëhet në dy mënyra, njëra mund të ndodhë nëpërmjet ofruesve të internetit, me të cilët Qeveria mund të bëjë një marrëveshje, apo të vendosë një bashkëpunim që të ndërpritet qasja në cilindo rrjet social, kështu që njerëzit nuk do të ketë qasje në TikTok, që është aktual tani te ne, por edhe në vende tjera. Mënyra tjetër është kur shteti bën ndalesë të adresave të caktuara, dhe kjo formë nuk kërkon bashkëpunim me ofruesit e internetit, por vetë shteti mund të vendosë bllokada të një adrese të caktuar”, thotë Lokman Musliu për REL.
Megjithatë, sipas tij, këto masa nuk janë plotësisht të sigurta, pasi qasja në rrjetet sociale mund të bëhet edhe në mënyra tjera, përmes ndryshimit të adresës së internetit, si dhe serverëve VPN-rrjetit virtual privat.
Megjithatë, gjitha masat parandaluese për çfarëdo tragjedie të natyrës së asaj çfarë ndodhi në Beograd duhet të ndërmerren sa më parë. Sepse, pasi të ndodhin rastet kot që merren masat pas viktimave, është e rëndësishme të hulumtohet gjendja në terren dhe të shihet nëse vërtetë çdo veprim jo normal bëhet vetëm për tu plasuar në këtë rrjet social, atëherë duhet të mbyllet sa më parë. Çdo vonës e zgjatje e këtij diskutimi për mbyllje të kësaj platforma shkon në dëm të nxënësve që janë çdo të ekspozuar ndaj dhunës që promovohet në këtë aplikacion.
