11.8 C
Skopje
E mërkurë, 18 Mars, 2026

Ata që e kërkojnë BDI-në në opozitë e përgatisin për partner koalicioni, VMRO kopjon LSDM-në!

Zhvillimet politike në Maqedoninë e Veriut më shpesh janë dramatike sesa reale e objektive. Në realitet mungesa e teatrove nëpër qytetet e vendit ka nxit politikanët që ta shndërrojnë vendin në një “teatër nacional” ku qytetarët mbesin spektatorë të shfaqjeve tragjikomike, nga dramaturg të veshur me petkun e politikanëve. Ndryshimet kushtetuese janë çelësi dhe tiketa përmes të cilës vendi mund të sigurojë një ulëse për vazhdimin e rrugëtimit drejt BE-së. Por, nuk janë vetëm ndryshimet kushtetuese brengë e partive politike, pasi shumë afër janë edhe zgjedhjet parlamentare, presidenciale, jo larg edhe ato lokale. E për këto të fundit siduket interesimi është më i lartë, mbase në emër të integrimit evropian e ndryshimeve kushtetuese por duket që gjitha përpjekjet bëhen për pushtet. VMRO-DPMNE-ja e Mickovskit kohëve të fundit ka lyrë deklaratat me “vaj ulliri”, nga deklaratat që janë kategorikisht kundër ndryshimeve kushtetuese, në deklarata më të buta që do të votojnë ndryshimet por me disa kushte. E kërkesa e VMRO-së për ta dërguar BDI-në në opozitë nuk është gjë tjetër përveçse një “infuzion” parazgjedhor pikërisht për BDI-në. Që të ketë me çfarë lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, të emocionojë administratorët e ata punëtorët që vendimin e punës e ëndërrojnë gjatë fushatës parazgjedhore. Se kinse BDI është therrë në sy për partitë maqedonase. Me fjalë të tjera që sërish lideri i BDI-së të kërkojë nga votuesit shqiptarë shpatën për t’i vë në funksion duart. Ndryshe, sipas gjitha anketave VMRO do të jetë fituese absolute e zgjedhjeve të ardhshme, ndërkaq BDI do të garojë me plagë nga djegia që ia shkaktoi grupi zjarrit. Pra, kur LSDM-ja kishte nevojë për BDI-në, ish kryetari LSDM-së, Zoran Zaev, thoshte “pse jo BDI në opozitë”, e pas zgjedhjeve bashkë me BDI-në e bënë Qeverinë. Nga kjo kuptohet që Mickovski nuk është gjë tjetër pos një kopjues fallco i Zaevit, shkruan Zhurnal.

“Pse jo BDI në opozitë”, është pyetja e parashtruar nga LSDM dikur, dhe tani të njëjtën e kërkon VMRO-ja, krejt këto për ta përforcuar BDI-në –

Në qershor të vitit 2020 kështu kishte deklaruar veterani politik, Zoran Zaev: “të gjithë duan që ta shohin BDI-në në opozitë. Ai kishte thënë se as që do të negociojë me partinë e Ahmetit nëse me çdo kusht kërkojnë që kryeministri i Qeverisë së re të jetë shqiptar”. Sipas Zaevit do të ishte një gjë e shëndoshë që BDI të shkojë në opozitë. Mes tjerash në tubime publike bërtiste Zaev në gjuhën shqipe “pse jo BDI në opozitë”. Këto deklarata e thirrje nga LSDM për të shkuar BDI-ja në opozitë, janë bërë gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2020 para zgjedhjeve parlamentare, ku BDI -ja kishte zgjedh të garonte me idenë e një kryeministri shqiptarë. Por çfarë ndodhi pas zgjedhjeve?

Partia e cila kërkonte që BDI-ja të shkonte në opozitë, LSDM, kërkoi takim me BDI-në për të formuar qeverinë e ardhshme, e kjo ndodhi pikërisht kështu u bënë bashkë me një marrëveshja që kandidati i BDI-së për kryeministër të bëhet avokat populli, e në 100 ditëshin e fundit vendi të ketë një kryeministër shqiptarë. Kjo është marrëveshja me të cilën deshën apo nuk deshën është dashtë të pajtohen votuesit e BDI-së, ata që prisnin të kenë kryeministër shqiptarë. Por, siduket paska pasur edhe marrëveshje tjetër për të cilën tani po njoftohet publiku, që para se të shkohet në qeveri teknike dhe para se të vijë momentumi historik që vendi të ketë kryeministër shqiptar qoftë edhe teknik, BDI-ja të dalë prej Qeverisë dhe ajo marrëveshje të bie poshtë.

E për ironi nga kërkesat që BDI-ja të shkojë në opozitë një vit më vonë BDI dhe LSDM shkojnë me koalicion parazgjedhor që të garojnë bashkërisht në zgjedhjet lokale të vitit 2021. Katër vite më vonë në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, VMOR-DPMNE partner i vjetër i BDI-së ka filluar me deklarata e kërkesa nacionaliste të ngjashme me ato të LSDM-së për të kërkuar që me çdo kusht vendi duhet të “çlirohet” nga BDI-ja. Madje, Mickovski shprehu gatishmërinë për kompromis dhe përfshirje në një koalicion më të gjerë qeveritar, nëse Bashkimi Demokratik për Integrim, një nga partnerët e koalicionit në pushtet, nuk është pjesë e asaj qeverie eventuale.

Ku shpien kjo strategji e partive maqedonase?

Interesant është fakti që politikanët maqedonas takohen shpesh dhe ulen në tavolinë për të biseduar çështjet që janë me rëndësi nacionale për vendin. Për dallim prej politikanëve shqiptarë që takohen vetëm në raste mortore. Dhe, kjo përçan e defaktorizon shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Kjo situatë mundëson dhe krijon terren i përshtatshëm për partitë maqedonase për të garuar edhe në kampin shqiptarë. Madje, për ironi më shumë kërkojnë partitë maqedonase që BDI-ja të shkojë në opozitë, sesa partitë politike shqiptare opozitare.

Prandaj, kërkesat e VMRO-së për ta dërguar BDI-në në opozitë nuk janë gjë tjetër përveçse një “infuzion” parazgjedhor pikërisht për BDI-në. Që të ketë me çfarë lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, të emocionojë administratorët e ata punëtorët që vendimin e punës e ëndërrojnë. Se kinse BDI është therrë në sy për partitë maqedonase. Me fjalë të tjera që sërish lideri i BDI-së të kërkojë nga votuesit shqiptarë shpatën për t’i vë në funksion duart.

Kujtojmë që, BDI është partia më jetëgjatë në pushtet, por e ka provuar edhe të qenurit në opozitë. Më 28 korrik 2006, ish kryeminsitri dhe kryetari i VMRO-së, aktualisht azilanti politik, Nikolla Gruevski, mori mandatin për të formuar qeverinë e re nga presidenti Branko Crvenkovski. Qeveria e atëhershme u votua në Kuvend më 28 gusht nga deputetët e koalicionit të udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe disa partive të tjera, si dhe nga kampi shqiptarë nga PDSH-ja e Menduh Thaçit, e cila atëkohë kishte 11 deputetë.

Por, mandati i kësaj qeverie ishte jetëshkurtër dhe përfundoi më 26 korrik 2008, kur u shpallën zgjedhjet e parakohshme parlamentare. E pas këtyre zgjedhjeve BDI fitoi 18 deputetët(numrin më të madh që nga themelimi) dhe u fut në koalicion qeveritar me VMRO-në, dhe që atëkohë nuk ka lëshuar ende pushtetin vetëm ndërron partnerët e koalicionit, por asesi pozicionin e vet. /Zhurnal.mk

 

Të ngjajshme

Të fundit