Ndryshimet në Kodin Penal bëhen për të shpëtuar Nikolla Gruevskin. Kështu u theksua në konferencën e sotme të përbashkët për media të deputetëve Merita Kolçi Koxhaxhiku, Safije Sadiki Shaini dhe Fadil Zendeli, nga partitë Lëvizja Demokratike, Alternativa dhe Lëvizja Besa.
“Sot jemi këtu para jush për të shpjeguar pse Qeveria dhe shumica parlamentare e këtij Kuvendi po nxitojnë të miratojnë ndryshimet në Kodin Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Edhe pse përshkrimi i propozim-ndryshimeve është i përbërë me gjuhë elokuente dhe me argumente evropiane, mund të kalohet nga ata që nuk dinë të lexojnë tekste ligjore ose që nuk e kuptojnë mashtrimin e Qeverisë dhe këtij autoriteti, por jo edhe tek ne” tha Zendeli.
Sipas tyre, arsyeja kryesore për këto ndryshime është “kthimi i Nikolla Gruevskit në Shkup sa më shpejt, pa gjemb në këmbë”.
“Publiku ka të drejtë të dijë, ndërsa kryeministri Kovaçevski dhe ministri i drejtësisë Lloga kanë obligim ta shpjegojnë këtë, se nëse ky propozim për ndryshimin e Kodit Penal kalon dhe ata kanë shumicën për ta miratuar, atëherë lirisht mund t’i nxjerrin biletë Nikolla Gruevskit në një drejtim nga Budapesti për në Shkup dhe ta presin me të gjitha nderimet shtetërore”, theksoi Zendeli.
Në konferencën për media u shqyrtua procedura kundër Gruevskit.
“Nikolla Gruevski është dënuar me dy vjet burg për rastin “Tank”. Për lëndën “Titanik” që është në proces, me Kodin Penal aktual mund të dënohet me dhjetë vjet dhe me ndryshimin e ri me dy apo tre vjet burg. Ai është dënuar me nëntë vite burg për rastin “TNT”. Për rastin “Dhuna në Komunën Qendër” është dënuar me një vit e gjashtë muaj burgim, për rastin “Feniks” ende nuk ka aktgjykim, ndërsa lënda “Talir” është kthyer në fillim të procedurës. Për rastin “27 Prilli” është ndërprerë procedura për Gruevskin. Ai u dënua me gjashtë vite burg për lëndën “Talir 2” dhe aktualisht lënda ndodhet në Gjykatën e Apelit, lënda “Trajektoria” tashmë është jashtë afatit dhe për rastin “”Parcelat në Vodno” është dënuar me shtatë vjet burg”, tha Zendeli.
Në konferencën për media ata folën edhe për atë që sipas tyre do të thotë propozim – ndryshimet në Kodin Penal.
“Me propozim-ndryshimet në Kodin Penal, që i propozon qeveria LSDM-BDI-ASH, të gjitha këto dënime që i janë shqiptuar Gruevskit dhe ato që mund të pasojnë, bien në ujë. Për të gjitha rastet në të cilat është dënuar apo gjykuar në mungesë, ai mund të kërkojë përsëritjen e procedurës, ndërsa me këto ndryshime në Kodin Penal – të gjitha lëndët në atë rast do të shpallen të vjetruara. Pra, Gruevski mund të gjykohet vetëm për rastet “Tank” dhe “Dhuna në Komunën Qendër”, të cilat nuk parashikojnë dënim më shumë se tre vjet burg dhe me këto manipulime të drejtësisë, siç di vetëm treshja Kovaçevski – Ahmeti – Taravari, jemi të bindur se do të arrijnë ta shpëtojnë plotësisht, madje do t’i paguajnë dëmshpërblim dhe ta shpallin hero”, nënvizoi Zendeli.
Ai shtoi se bëhet fjalë për Kodin, i cili është një temë serioze dhe e rëndësishme.
“Pse Qeveria po ngutet me kaq urgjencë ta miratojë Kodin Penal, një temë kaq të rëndë dhe të rëndësishme, madje ta vendosë në Komisionin për Çështje Evropiane të Arbër Ademit të BDI-së dhe nën flamurin e BE-së, këtë duhet ta shpjegojnë. Se si është i lidhur shpëtimi i Gruevskit me Bashkimin Evropian, këtë mund ta dinë vetëm treshja Kovaçevski – Ahmeti – Taravari”, tha Zendeli.
Ai theksoi se përveç kësaj, kanë “dyshime të thella dhe të bazuara se po propozohen ndryshime në Kodin Penal sepse eksponentë të lartë të BDI-së dhe LSDM-së e dinë se pas zgjedhjeve të ardhshme do të jenë në opozitë dhe për këtë arsye duan të krijojnë një kornizë për të mos u ndjekur penalisht”.
Ajo që bie në sy, tha ai, është se “propozimi për ndryshimin e Kodit Penal nuk është firmosur nga ministri i Drejtësisë, por nga zëvendësi i tij”.
